Faleminderit zoti Daçiç!

ivica_dacic_20140513_1770653207Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka deklaruar sot se incidenti në ndeshjen Serbi-Shqipëri është i paramenduar dhe më herët i planifikuar si provokim politik. E thënë nga ministri i jashtëm i një shteti, kjo është deklaratë shumë serioze, ndaj dhe le të fokusohemi pak tek argumentet që sjell z.Daçiç.

Shprehet Daçiç:“Kjo nuk ka ndodhur kurrë në asnjë ndeshje të futbollit dhe është e përgatitur paraprakisht. Për mua është çështje kryesore se si do të reagoi Bashkimi Evropian dhe UEFA”.

z.Daçiç ka të drejtë. Nuk ka ndodhur kurrë në një ndeshje futbolli që tifozeria e një përfaqësuese kombëtare të përjashtohet paraprakisht dhe pa kushte siç u përjashtua tifozeria shqiptare. z. Daçiç ka shumë të drejtë edhe kur thotë se UEFA duhet të mbajë një qëndrim, sepse UEFA duhet me patjetër t’i japë fund kërkesave kapriçoze të federatës serbe për privimin e tifozerisë së skuadrës kundërshtare. Nëse shteti serb nuk i del dot për zot sigurisë në stadiume, nuk meriton të jetë pjesë e standardit UEFA.

Shprehet Daçiç:“Nëse dikush nga Serbia ta shpaloste flamurin e ‘Serbisë së Madhe’ në Tiranë apo në Prishtinë, kjo do të ishte çështje e rendit të ditës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”.

z.Daçiç nuk jep ndonjë referencë për këtë pretendim, me sa duket e ka pretendim në nivel parashikimi, pasi nuk regjistrohet ndonjë rast që të ketë ndodhur e njëjta gjë me flamurin serb, apo me flamurin e ‘Serbisë së Madhe’ në një organizim të UEFA-s në Tiranë apo Prishtinë.

Vijon Daçiç:

“Në këtë incident po përmendet që këtë e ka bërë vëllai i kryeministri të Shqipërisë, i cili këtu do të duhej të ishte si mysafir. E gjithë kjo ka dimensione politike në këtë ngjarje dhe ky është provokim politik”

z.Daçiç, është ministër i jashtëm i shtetit të Serbisë ai si rregull duhet të jetë i informuar mirë përpara se të flasë. Është tepër interesant fakti që ai përdor shprehjen“po përmendet vëllai i Edi Ramës”. Po përmendet nga kush? Zyrtarisht nga ministria e Brendshme e Serbisë? Në gazeta? Në fletëpalosje? Nga ndonjë institucion ndërkombëtar? Po përmendet në kafene? Apo në supermarket?

Pastaj, supozojmë teorikisht se z.Daçiç ka të drejtë. Se disa shqiptarë e ngritën atë flamur dhe disa tifozë serbë u shqetësuan, u acaruan dhe reaguan. E çfarë pastaj?

Ai flamur nuk prekte asnjë standard apo normë të UEFA-s ndaj dhe çdo reagim apo acarim nga ky flamur i tifozëve që ndodheshin në stadium, nuk është problem as i cohës së flamurit, as i mini-avionit fluturues, as i UEFA-s dhe as i shqiptarëve.

Ai stadium për sa kohë zhvillohej ndeshja, është territor i UEFA-s dhe shteti serb ka vetëm detyrimin ta mbrojë atë stadium, sepse nuk e ka nën juridiksionin e vetë. Detyra e qeverisë ku bën pjesë dhe z.Daçiç ishte ta mbronte edhe atë flamur të valëvitur në një zonë nën juridiksionin e UEFA-s.

z. Daçiç me thëniet e artikuluara më lart, rezulton në të njëjtin standard gjykimi me grupet huligane që rrinë zakonisht tek shkallët e stadiumeve. Ai nuk ka folur si zyrtar i një shteti që ka marrë detyrime përpara UEFA-s, por ka folur si çdo ultra-nacionalist serb i zakonshëm që mendon se valëvitja e një flamuri në stadium është ekuivalent i ndonjë akti lufte.

Ivica Daçiç është një përfaqësues i nivelit të lartë të qeverisë, elitës dhe kupolës serbe, por nga sallonet luksoze të qeverisë na ka përcjellë me fjalë të njëjtin nivel indoktrinimi që tifozët ultra-nacionalistë serbë e treguan me vepra në stadium.

Çka do të thotë se nuk janë tifozët, e as ultrasit serbë problemi. Problemin e paskan në kupolë, në qeveri. Kjo deklaratë e z.Daçiç i bën të qarta të gjitha, na ndihmon shumë të kuptojmë jo vetëm se cilët janë huliganët në stadiume por dhe cilët janë frymëzuesit dhe dirigjentët e doktrinës ultra-nacionaliste.

Me këtë deklaratë z.Daçiç realisht e ka mbështetur shumë palën shqiptare. Për çdo ballafaqim në UEFA, BE apo dhe OKB po të duan, pala jonë mjafton të citojë në mënyrë korrekte, fjalë për fjalë deklaratën e sotme të ministrit serb, z.Daçiç dhe bëhet e qartë se kush është problemi, bëhet e qartë se kush janë levat në shkallët e stadiumeve dhe kush janë arkitektët dhe frymëzuesit në sallonet e kupolës.

Deklarata e z.Daçiç, në finale rezulton spontane, e pandërgjegjshme, e çmuar dhe tepër bujare. Faleminderit z.Daçiç! 

Habjon Hasani/Portali i Lirisë