Fanatikë dhe për interes, vota në Gjirokastër varet nga emigrantët (FOTO)

Ndalimi i flamujve të fushatës ka vënë në qetësi qytetin e Gjirokastrës, ndërkohë që konflikti PS-LSI arrin kulmin dhe palët bëjnë llogari gati bizantine në matjen e forcës në terren.

Gjirokastra është një bastion i Partisë Socialiste dhe këtë e dinë të gjithë. Lagjeve të sipërme demokratët i kanë vënë nofkën “Stalingrad”. I gjithë qarku i dha Partisë Socialiste gati dyfishin e votave që i dha Partisë Demokratike në vitin 2013. Socialistët morën tre mandate deputetësh duke lënë PD-në me vetëm 1 deputet dhe LSI-në gjithashtu me një.

Socialistët synojnë t’i bindin banorët e qarkut me mjekun Flamur Golemi, 41 vjeç, i specializuar në okulistikë, i cili jeton dhe punon në Gjirokastër. Ai mban vendin e tretë të listën e socialistëve. Nëse PD rritet duke kapur dy deputetë, ose LSI rritet duke dalë forcë e dytë në këtë qark, siç ka premtuar, atëherë mandati i tij është ai që humbet. Dy kandidatët e parë në listat e socialistëve për Gjirokastrën janë Blendi Çuçi, 47 vjeç, ish-ministër i për Çështjet Vendore dhe Mirela Kumbaro, 51 vjeç, aktualisht Ministre e Kulturës.

Gjirokastra i ngjason një kantieri ndërtimi aktualisht. Fondet e qeverisë qendrore kanë riparuar rrugët kryesore të qytetit ndërsa Qafa e Pazarit, qendra historike e qytetit dhe thelbi i Gjirokastrës si atraksion turistik, po i nënshtrohet restaurimit.

Qeveria ka dhënë fonde për Gjirokastrën për të rikonstruktuar dhe lyer fasadat përgjatë rrugës kryesore të ndërtuar gjatë kohës së komunizmit me blloqe apartamentesh të varfra dhe serioziteti i investimeve duket në faktin se këtu fasadat po rregullohen edhe nga anët e pasme të blloqeve të pallateve.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse këto investime do të bindin banorët t’i japin po aq mbështetje Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 qershorit.

Njerëzit që BIRN pyeti nëpër rrugët e Gjirokastrës nuk u shprehën veçanërisht entuziastë për këto investime, në një zonë ku një vend pune në shtet është një ëndërr e përjetshme dhe ku shumë qytetarë, pavarësisht bindjes politike, lëvdojnë deputetin e LSI Vangjel Tavo si një njeri që i ndihmon me kontakte e ndërhyrje kur ata sëmuren dhe detyrohen të shkojnë në Tiranë për kujdes shëndetësor të specializuar.

“Lufta me LSI-në është e ashpër. Por Tavo të zgjidh punë. Anastas Angjeli dhe Arben Ahmetaj nuk të hapnin telefonin”, thotë një mësues në pension, i cili punon gjithashtu si recepsionist në turnin e natës në një hotel modest të qytetit, duke shpjeguar se si shqetësimi kryesor i banorëve të Gjirokastrës është pafuqia që ndjejnë përballë shërbimit shëndetësor publik kur vijnë në Tiranë.

Sipas banorëve, Tavo është personi që i ndihmon banorët me ndërhyrje në sistemin shëndetësor në Tiranë, në një vend ku teorikisht shërbimi shëndetësor është i paguar nga sigurimet shoqërore dhe falas, por që të gjithë e dinë se për të marrë shërbim nevojitet të paguhet. Dhe nëse nuk ke para, një telefonatë nga lartë, në rastin konkret, nga deputeti, të ndihmon. Deputetët e mëparshëm socialistë e demokratë kanë migruar gjetkë. Angjeli, i cili ka lindur në Sarandë dhe është zgjedhur deputet në Tiranë e Gjirokastër, aktualisht gjendet i pesti në listat e Partisë Socialiste në Elbasan. Ish-Ministri i Financave Arben Ahmetaj, i lindur në Gjirokastër, garon aktualisht në Tiranë në vend të sigurt, pasi qe zgjedhur deputet në Korçë në vitin 2009.

Kazanë plehrash ku emrat e Edi Ramës dhe Erjon Braçes nuk janë fshirë në Gjirokastër. Fotografuar më 16 qershor 2016. Gjergj Erebara/BIRN

Megjithatë, kandidati i PS Flamur Golemi sheh anën pozitive në këtë politikë. “Të jem i sinqertë ky më duket një refren i kotë i fushatës,” thotë ai, duke shtuar se kolegët e tij kanë lidhje me zonën. “Mendoj se ajo çfarë është më e rëndësishme është kontributi i deputetit për komunitetin sesa thjesht dhe vetëm fakti që jeton në Gjirokastër”, shtoi ai duke rikujtuar se një deputet i rëndësishëm në Tiranë është në gjendje të sigurojë fonde investimesh në qytet më shumë se sa një deputet i dobët me bazë në bashkësinë e tij.

Edhe mësuesi në pension shprehet i bindur se do të votojë socialistët pavarësisht simpatisë që Tavo ka krijuar në qytet.

Tavo, 48 vjeç, me profesion mjek, është deputet në Kuvendin e Shqipërisë që nga viti 1997.

“Kjo është hera e pestë që garoj në të njëjtën zonë elektorale,” thotë ai në zyrën e tij në Gjirokastër. “Aktualisht unë jam i vetmi deputet nga Gjirokastra në Kuvend”, shton ai duke rikujtuar se deputetët e tjerë të Gjirokastrës shpesh nuk duken në zonat elektorale dhe përgjatë viteve, shumica e deputetëve në karrierë kanë mësuar të emigrojnë nga një zonë elektorale në një tjetër, nga një qark në një tjetër, duke shmangur kontaktet për herë të dytë me të njëjtët votues.

“Këto lloj deputetësh pasi marrin votat nuk e bezdisin veten as të thonë faleminderit,” komentoi një mjek në Gjirokastër, duke iu referuar kryetarit aktual të Bashkisë Tiranë Erjon Veliaj.

Një qytetar tjetër rikujton se si deputeti demokrat Genc Ruli nuk u duk më në Gjirokastër që pas zgjedhjeve të vitit 2013, kur arriti të zgjidhet deputet për herë të tretë falë faktit që qe i pari në listat e Partisë Demokratike.

Tavo gjendet aktualisht nën sulm të kryqëzuar si nga PS ashtu edhe nga PD, dy parti me të cilat partia e tij Lëvizja Socialiste për Integrim ka bashkëqeverisur për tetë vjet, nga katër vjet secila, ndërsa sot të dyja e akuzojnë se ai dhe partia e tij kanë krijuar një makineri politike të bazuar te pushteti disproporcional i fituar si forcë e tretë, pushtet që përdoret për punësime militantësh në administratë publike, punësime që nga ana e tyre prodhojnë vota.

“Pema që ka kokrra gjuhet me gurë,” thotë Tavo kur pyetet se si ndjehet tani që po sulmohet nga të dyja anët.

“Njerëzit votojnë ose se janë fanatikë, ose se kanë interes,” shton ai. “Për çfarë tjetër duhet të votojnë? Për premtimet elektorale?” pyet ai në mënyrë retorike.

Një 60 vjeçare, e cila refuzoi të flasë me emër, pati pak a shumë të njëjtin shpjegim kur u pyet ndërkohë që shiste veshmbathje në tregun modest të Gjirokastrës. “Unë nuk kam asnjë të punësuar në shtet e për rrjedhojë nuk merrem me politikë,” e preu shkurt ajo kur u pyet se çfarë mendonte për situatën e përgjithshme të qytetit në prag të zgjedhjes.

E vetmja gjë që ajo ëndërron tashmë është të mbushë vitet për moshën e pensionit, të cilën shpreson ta marrë në bazë të 15 viteve sigurime të paguara në kohën e komunizmit, kur punonte në një rrobaqepësi. “Kur u sëmura dhe shkova në spital u detyrova të paguaj vetë. Askush nuk pyeti nëse kisha apo jo para,” shtoi ajo me mllef duke shpjeguar se pse ajo efektivisht nuk kishte interes për të votuar.

Roland Bejko, 48 vjeç, pedagog, kandidati i dytë në listën e Partisë Demokratike, pranon se gjatë takimeve të tij elektorale dallon një zhgënjim të përgjithshëm nga politika në tërësi.

“I vetmi biznes këtu është fasoni, ku njerëzit marrin paga të ulëta e ku shumë nuk arrijnë të plotësojnë normën e nuk marrin dot as 15 mijë lekë,” thotë ai duke shpjeguar rëndësinë e vendeve të punës në administratën publike në makinerinë zgjedhore që zakonisht krijohet nga pushteti.

Flamur Golemi i Partisë Socialiste nuk është dakord me idenë se binomi vende pune për vota është një model dominues në politikën e Gjirokastrës.

Fasada pallatesh duke u riparuar nga fondet e qeverisë qendrore

 

 

 

 

“Ky binom që ju përmendni ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm për vendin tonë sa herë kishte zgjedhje dhe sigurisht që as Gjirokastra nuk ishte e përjashtuar. A ekziston edhe sot? Patjetër që mund të ketë raste të izoluara, por nuk mendoj se është fenomen mbizotërues. S’po tentoj fare ta relativizoj situatën, thjesht më rezulton se nuk votojnë të gjithë për një vend pune në shtet,” tha Golemi për BIRN.

Që nga rënia e komunizmit, për një pjesë të madhe të Shqipërisë, veçanërisht për zonat në brendësi dhe larg detit, gjërat nuk kanë ndryshuar shumë. Emigrimi ka qenë i vetmi shpëtim. Një pjesë e industrisë së kohës së komunizmit ka falimentuar e është mbyllur prej kohësh ndërsa ajo pjesë që ka mbijetuar si rrobaqepësitë, nuk ka qenë në gjendje të zhvillohet mjaftueshëm për të dhënë paga dinjitoze. Në Qarkun e Gjirokastrës gjendet qyteti i Memaliajt, i ndërtuar në kohën e komunizmit përreth një miniere qymyri e cila u mbyll dy dekada më parë. Memaliaj kishte rreth 10 mijë banorë në vitet ’80, që të gjithë të punësuar në minierë. Sot është një qytet i zbrazët.

Ndonëse në rang kombëtar punët në shtet përbëjnë gati një në çdo katër vende pune me pagesë, në qarkun Gjirokastër përbëjnë gati gjysmën.

Qarku i Gjirokastrës ka aktualisht normën më të lartë të emigrimit në vend si dhe popullsinë më të moshuar. Sipas Institutit të Statistikave, që nga viti 2001, nga ky qark janë larguar një nëçdo pesë banorë. Në vitin 2015, popullsia faktike e qarkut e vlerësuar nga INSTAT qe 70 mijë vetë. Por në të gjithë qarkun numërohen vetëm 5,500 vene pune në administratën publike dhe 5,800 vende pune në sektorin privat jobujqësor. Zyrtarisht konsiderohen të vetëpunësuar në bujqësi edhe 13 mijë vetë. Askush nuk e di se çfarë bëjnë të gjithë të tjerët.

Këto shifra duket se shpjegojnë se pse në Gjirokastër dhe në pjesën më të madhe të vendit, puna në administratën publike përbën arsyen kryesore të votës dhe shkakun kryesor të përplasjeve mes partive politike.

Banorët e qarkut Gjirokastër, ku përfshihen bashkitë Gjirokastër, Dropull, Libohovë, Memaliaj, Tepelenë e Përmet, do të duhet të zgjedhin kësaj here nëse do t’i japin Partisë socialiste tre apo dy mandate, apo do t’i japin Partisë Demokratike dy apo një mandat ndërkohë që Vangjel Tavo i LSI-së deklaron se ai vetë synon të marrë dy mandate dhe se do të arrijë të zërë vend të parë ose të dytë në qark.

Ndryshe nga shumë qytete të tjera të vendit, në Gjirokastër prania e LSI-së dallohet nga numri i madh i zyrave elektorale të hapura, shumica e të cilave janë të mbushur me njerëz përgjatë të gjithë ditës.

Në sipërfaqe duket se këto janë zgjedhjet ideale. Nuk ka flamuj elektoralë në qendrën historike dhe as nëpër qytet. Nën sipërfaqe, palët janë duke numëruar çdo votë potenciale.

“Unë jam i vetmi që di se sa vota ka pasur në çdo qendër elektorale secila parti,” mburret Tavo duke thënë se është i bindur në suksesin e partisë së tij pavarësisht sulmeve nga të dyja krahët.

Partia Demokratike po përpiqet të bëjë një fushatë derë më derë në përpjekje për të bindur votuesit të dalin në votime. Partia Socialiste shpreson se orteku i investimeve publike në rrugët dhe fasadat e qytetit do t’i ruajë rezultatin e vitit 2013 ndërsa Tavo beson se do të arrijë sukses si deputet që, megjithëse ka një shtëpi në Tiranë, “çdo ditë të enjte shkon në zonë”, në vendin që e ka zgjedhur deputet atë sakaq në mënyrë të përsëritur përgjatë njëzet viteve të fundit.

Votat e minoritetit grek dhe votat e emigrantëve që pritet të vijnë nga Greqia duket se janë vendimtare në garën e këtij viti, siç kanë qenë të rëndësishme edhe në zgjedhjet e kaluara.

Sipas Koço Barkës, ish-ministër demokrat që aktualisht garon në vendin e pashpresë të tretë në listën e PD-së, minoriteti Grek do të duhet të votojë për të djathtën kësaj here, për shkak të armiqësisë që Edi Rama ka krijuar me Greqinë, në një seri mosmarrëveshjesh të zhvilluara përgjatë katër viteve të fundit si dhe për shkak të mungesës së investimeve në rrugë në zonat e minoritetit.

Një ndërtesë në qytetin e Tepelenës ku ironikisht zyra e punës, ku supozohet se njerëzit gjejnë punë, është ngjeshur mes selisë së Partisë Socialiste dhe asaj të Partisë Demokratike. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Partia Demokratike sheh me shpresë nga 1900 votat që partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut pati marrë në këtë qark në zgjedhjet e vitit 2013, kur Dule qe në aleancë me Ramën. PBDNJ është një parti e thelemuar që në vitin 1991 dhe ka pasur numër të qëndrueshëm votash që nga ajo kohë, pavarëisht se disa herë ka kaluar majtas dhe disa herë djathtas. Nëse këto vota ndryshojnë krah, mandati i tretë i socialistëve është në dyshim. Por Tavo thotë se sipas mendimit të tij, këto vota do të ndahen mes partive garuese për shkak se PBDNJ aktualisht nuk ka një pretendent për mandat deputeti në Gjirokastër.

“Mua më duhet të ruaj rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2013 dhe kjo më mjafton për t’u zgjedhur”, thotëRoland Bejko i PD-së.

Një rol vendimtar në këtë drejtim do të luajnë aftësitë e palëve për të sjellë autobuzë me emigrantë nga Greqia. Bejko pranon se këto vota janë me rëndësi të veçantë. “Zakonisht në Dropull vijnë 2 mijë votues të tillë ndërsa në Gjirokastër vijnë një mijë të tjerë,” thotë Bejko dhe shton se zakonisht këtyre votuesve u jepet 50 deri në 100 euro për mundimin e udhëtimit nga vendbanimi i tyre i zakonshëm në Greqi për në qendrën e tyre të votimit në Shqipëri.

Tavo thotë se ai vetë ka në plan të sjellë 7 mijë votues të tillë për këto zgjedhje nga Greqia dhe Tirana, por mohon dhënien e parave për elektoratin. “Vetëm autobuzët i kam siguruar me një shok,” thotë ai.

Flamur Golemi i PS-së argumenton se vota e emigrantëve ka rëndësi, por nuk është vendimtare. “Megjithatë dihet që emigrantët, të paktën në jug të vendit, kanë votuar historikisht për Partinë Socialiste. Kështu që unë shfrytëzoj rastin t’i ftoj të vijnë në Shqipëri më 25 qershor dhe të japin kontributin e tyre me votë për Shqipërinë që duam,” thotë ai.

Në qarkun e Gjirokastrës pati 60 mijë vota të hedhura në vitin 2013. Disa mijëra prej këtyre qenë nga emigrantët dhe këto nuk duken shumë në krahasim me numrin e përgjithshëm të votave. Por formula e D-Hondt e ‘mesatareve më të larta’, e cila përdoret për llogaritjen e numrit të deputetëve për çdo parti pas zgjedhjeve, bën qëçdo votë të ketë rëndësi vendimtare. Kjo formulë bën që nëse në një zonë elektorale zgjidhen tre deputetë dhe në të garojnë dy parti, partia që merr qoftë edhe një votë më shumë se sa tjetra merr dy deputetë ndërsa tjetra një. Një parti e vogël, e cila mund të sigurojë vota për 1.9 mandate deputetësh, ka gjasa do të marrë vetëm një deputet. Rezultati i thellë i PS më 2013 në numër deputetësh në Gjirokastër erdhi pikërisht për këtë arsye. Të 60 mijë votat e Gjirokastrës prodhuan 5 deputetë, ose një deputet për 12 mijë vota. PS mori tre deputetë me 25 mijë vota të hedhura, duke marrë efektivisht 2.1 mandate nëse ndarja do të qe proporcionalisht e pastër. Për këtë arsye, disa mijëra vota emigrantësh të hedhura nga njëri krah apo nga krahu tjetër mund të përbëjnë dallimin nëse një parti do të marrë tre apo dy mandate, dy apo një mandat.

Gjithsesi, gjetja e emigrantëve për të votuar, pavarësisht nëse u jepen apo jo 50 apo 100 euro për bezdisjen e rrugës, nuk është një punë e lehtë. Aktivistët politikë në Gjirokastër shpjegojnë se emigrantët janë të gatshëm të kthehen për të votuar vetëm në rastet kur janë të papunë përkohësisht në Greqi. Kjo është arsyeja se pse Ministria Greke e Punës njoftoi së fundmi se emigrantët që janë në regjimin e asistencës sociale do të lejohen të kthehen në atdhe për pesë ditë nëse duan që të votojnë pa u penalizuar në asistencë.

Megjithëse skema e kthimit të emigrantëve me autobuzë falas e me pagesë favorizon partitë që kanë para për të financuar vota të tilla të kushtueshme, kreu i PD-së së Gjirokastrës Bejko thotë se kjo nuk është ekzaktësisht blerje votash. “Ata që vijnë nuk janë thjeshtë mercenarë,” tha ai. “Partitë politike gjejnë mbështetës të vet për të sjellë, ndryshe ata mund ta ndryshojnë votën në çast të fundit,” shtoi ai duke argumentuar se partia e tij gjithsesi qe në disavantazh për votat e emigrantëve dhe se ai vetë nuk kishte fonde fushate të mjaftueshme për të financuar operacione të tilla.

Sytë e PD-së në këtë drejtim janë nga aleati i vet PBDNJ, parti që prej të gjitha kohërave ka sjellë autobuzë me emigrantë nga Greqia në Gjirokastër dhe në Vlorë. Aktualisht kjo parti po punon për të përsëritur të njëjtën gjë edhe këto zgjedhje, por se a do të mjaftojnë këto vota për të ndryshuar rezultatin, kjo pritet të shihet vetëm në ditën e votimit./BIRN