Federata e Pyjeve, fushatë për zbatimin e moratoriumit në Gjirokastër, Libohovë e Dropull
Federata Rajonale e Përdoruesve të Pyjeve e Kullotave Komunale Gjirokastër (FRPPK) duke vlerësuar Moratoriumet si e vetmja mundësi për të shpëtuar dhe ripërtërirë pyjet, për krijimin e ekuilibrit të humbur të ekosistemit pyjor dhe rritjen e potencialit të rolit shumëfunksional të pyjeve, nëpërmjet projektit “ACHIEVE”, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri, përzgjodhi rolin monitorues dhe mbështetës të strukturave shtetërore ligjzbatuese për zbatimin e dy ligjeve në mbrojtje të natyrës: për Moratoriumin e Pyjeve dhe të Gjuetisë, të cilat sanksionojnë masat ndëshkimore ndaj kundravajtësve dhe dëmtuesve të pyjeve.
Kjo federatë, në kuadër të aktiviteteve për monitorimin dhe zbatimin e Moratoriumeve të Pyjeve dhe Gjuetisë, në tre Bashki respektivisht: Gjirokastër; Libohovë; Dropull ka ndërmarrë dhe zbaton veprime konkrete dhe bashkëpunim me strukturat në terren, ndergjegjesimi i komuniteteve , përfshirja e tyre si partner të rëndësishëm në ruajtjen e biodiversitetit, si dhe trajnime e seminare me strukturat e ndryshme ligj-zbatuese.
Sipas ligjit, Bashkia do të jetë i vetmi subjekt përgjegjës për shitjen e lëndës drusore me qëllim furnizimin e popullatës me lëndën drusore për ngrohje.
Ligji detyron Bashkinë, që çdo e ardhur që realizohet nga ky proces, të ri-investohet në masën 100% për shtimin e fondit pyjor dhe zonave të degraduara në këtë fond me qëllim rigjenerimin dhe shëndetësimin e ekonomisë pyjore.
Por nuk ndodh gjithmonë kështu, sepse ende shfrytëzimi i pyjeve dhe furnizimi i enteve dhe popullatës me dru zjarri vazhdon të kryhet nga operatorët privatë të cilët nuk monitorohen e kontrollohen nga struktura bashkiake apo shtetërore. Kjo ndodh edhe në Gjirokastër.
Nga Federata e Përdoruesve të Pyjeve Qarku Gjirokastër, njoftohet se gjuetia e paligjshme ushtrohet në disa zona si Lunxhëri e Dropull, por dhe në zona të tjera.
“Do të jetë në respekt të detyrës ligjore si të Inspektoriatit Rajonal për Mjedisin dhe Pyjet dhe “Tasc-Forcës së gjelbër” të Policisë së Shtetit të verifikojë zbatimin e ligjit të Moratoriumit për rastet e informimit dhe shqetësimin e komunitetit vendor për abuzime në shfrytëzimin e pyjeve jashtë kritereve teknike të miratuara, apo dhe dëmtime të tjera në fondin pyjor dhe gjuetisë të paligjshme.
Pavarësisht problematikave të hasura gjatë këtyre muajve, mbrojtja e Pyjeve dhe Faunës, pra zbatimi i Moratoriumeve janë sfida që kërkojnë përkushtim dhe profesionalizëm.
“Bashkëpunimi dhe mbështetja reciproke është kusht i domosdoshëm. Sigurisht, në Qarkun dhe Bashkitë e Gjirokastrës ato do mund të arrihen më mirë dhe më shpejt. Vendosja e një bashkëpunimi afatgjatë të munguar midis komunitetit vendor dhe aktorëve të ndryshëm që lidhen me pyjet, përdorues dhe përfitues të resurseve pyjore, do të mbështetin dhe monitorojnë strukturat shtetërore ligjëzbatuese për zbatimin e dy ligjeve në mbrojtje të natyrës”, thonë nga Federata e Përdoruesve të Pyjeve në Qarkun e Gjirokastrës./ata