Fernandez u nxori ‘të palarat’, reagon Luftëtari: Punoi 2 muaj në Gjirokastër, një rrogë ia dhamë, tjetrën ia mbajtëm (VIDEO)
Zëdhënësi i klubit të Luftëtarit, Rigels Malile ka reaguar sot pas intervistës së ish-trajnerit Daniel Fernandez dhënë për ‘PanoramaSport’, ku ai hidhte akuza për pabesi në Gjirokastër dhe mosshlyerje të detyrimeve financiare nga presidenti Grigor Tavo.
Malile thotë se trajneri i kontaktuar prej Luftëtarit ishte Luis Curbelo, por Daniel Fernandez erdhi vetëm se kishte licencë ‘Pro’ nga UEFA.
Sipas tij, dy uruguajanët ishin në një situatë konflikuale me njëri-tjetrin në klub, aq sa Tavo u detyrua që t’i gjobiste me ndonjë rrogë mujore. Teksa fliste përballë kamerave, shihej një lloj sikleti i zëdhënësit të Luftëtarit, por interesante ishte ajo që ai tha për ish-trajnerin Fernandez. Uruguajani punoi vetëm dy muaj te Luftëtari. Një rrogë prej 2 mijë eurosh ia dhanë, rrogën tjetër i mbajtën si gjobë.
“Dy uruguajanët krijuan një situatë konfliktuale në klub. Për një kohë të gjatë ata nuk komunikonin me njëri-tjetrin. Madje ka pasur raste ku situata për pak degjeneroi në konfrontim fizik. Klubi i futbollit Luftëtari ka marrë masë administrative qortuese ndaj trajnerëve për shkak të kësaj situate. Më pas duke qenë se situata po agravohej, i gjobitëm me ndonjë rrogë mujore. Hapi i tretë ka qenë përjashtimi i tyre nga skuadra. Daniel Fernandez është larguar nga Luftëtari më 16 tetor. Ka punuar fiks dy muaj. Rrogën e parë prej 2 mijë eurosh e ka marrë që në fillim kur erdhi. Më pas ka patur një masë administrative”, u shpreh Malile.