FIFA zgjedh skuadrën e vitit, 55 kandidatë, dominon La Liga
Federata Ndërkombëtare e Futbollit zbulon emrat e 55 futbollistëve kandidatë për të qenë pjesë e skuadrës më të mirë të vitit. Ajo që të bie në sy në këtë listë është dominimi i kampionatit spanjoll ku Reali i Madridit dhe Barcelona janë ato që kanë më shumë përfaqësues në këtë listë të FIFA.
Te Reali i Madridit, përveë Cristiano Ronaldos, mes kandidaturave spikasin e emrat e Ramos, Modric, Kroos, Benzema apo Bale. Ndërsa te Barcelona, emrit të Messit i janë bashkuar ata të Suarez, Neymar, Iniesta-s apo Pique, ndërkohë që janë përfshirë edhe Dani Alves e Claudio Bravo që u larguan nga katalanasit gjatë muajve të verës për të kaluar te Manchester City dhe Juventus.
Bayern Munchen ka 9 futbollistë që pretendojnë të kenë një vend në formacionin e vitit. Nuk mund të mungojë në këtë listë Juventusi, ku spikat Gianlugi Buffon, emri i të cilit ka qenë gjithnjë mes kandidaturave për në skuadrën e vitit, ashtu sikurse edhe Cristiano Ronaldo.
Formacioni më i mirë i vitit do të përcaktohet nga vetë futbollistët dhe do të jenë 25 mijë lojtarë profesionistë nga 75 vende të botës që do të bëjnë përzgjedhjen. Secili prej tyre do të zgjedhë 1 portierë, 4 mbrojtës, 3 mesfushorë e 3 sulmues. Skuadra e vitit do të mësohet në 9 janar në ceremoninë që do të zhvillohet në Zyrih ku do të jepet edhe FIFA The Best Award për futbollistin më të mirë të vitit.