”Financial Times”: Zbulojeni Shqipërinë!

berati”Zbulojeni Shqipërinë!” është titulli që gazeta prestigjioze britanike ”Financial Times” shoqëron shkrimin e Andrew Eames në një artikull për bukuritë e pazbuluara të disa zonave të paprekura malore shqiptare. Një udhëtim larg qyteteve, rrugëve të shtruara me asfalt, ndërtesave të larta dhe zhurmës kaotike.

Një udhëtim i jashtëzakonshëm që ekspoloron mes Korçës, Beratit dhe Gjirokastrës duke përmendur sidomos historinë, mikpritjen dhe duke përfunduar te rakia dhe ushqimet bio.

”Si një turist që viziton Shqipërinë, ju mund ta keni jetën në dorën tuaj, por jo për arsyet që shumëkush mund të mendojë. Unë nuk takova ndonjë vrasës me pagesë apo dikë që të më ofronte para’ për organet e mia. Jo, janë rrugët rurale dhe drejtuesit e makinave, të cilët i bërtasin njëri-tjetrit nën ndikimin e rakisë, ato që ju rrezikojnë jetën. Kjo është arsyeja që unë udhëtova në rrugë rurale, në jug dhe lindje të Tiranës me ”Drive Albania”, thekson Eames.

”Shqipëria është një vend spektakolar, shpesh e copëtuar nga kanione gëlqerore, nga male madhështore e kodra të bukura dhe pllaja të ashpra si ato të Anadollit, por e sistemuar bukur si Alpet franceze dhe ndonjëherë e përgjumur mbi det si brigjet amalfitane”, shton i entuziazmuar Eames. 

”Në Leusë, përmes një rruge të rrëshqitshme nga Përmeti, ne gjetëm kishën e shën Mërisë të stilit bizantin të shekullit XIII”, thotë Eames.

”Korça ishte një qytet universitar i civilizuar, por që ka vuajtur nga emigrimi. Mbrëmjeve njerëzit vishnin gjërat më të mira për xhiron e famshme të mbrëmjes… Ndërkohë, në qytetin e Beratit, i njohur nga UNESCO-ja, ne qëndruam në lagjen Mangalem, një rrjet shtëpish otomane mbi kodër, poshtë kalasë më të madhe të vendit, një ndërtim i shekullit XIII që është ende shtëpia e rreth 800 banorëve.

Në Gjirokastër, njëherë e një kohë një qendër e madhe tregtare si edhe e listuar në UNESCO, ne shkuam të takojmë Nesip Skëndulin, pronar i një prej shtëpive më karakteristike të qytetit, i cili gjatë ditës shiste bileta për turistët për të parë shtëpinë dhe gjatë natës u ofronte atyre vend për të fjetur”, thotë ai.

”Në të gjitha vendet që vajtëm restorantet ishin të mira, çmimet e ushqimeve ishin pabesueshmërisht të ulta dhe akomodimi i pastër dhe i arsyeshëm”, shton Eames./Ata