‘Fjetja e Shën Mërisë”, Kumbaro restauron edhe Kishën e Sopikut (VIDEO)
Kisha “Fjetja e Shën Mërisë” në Sopik, një prej objekteve më të rralla të artit mesjetar në vend, do t’i nënshtrohet restaurimit.
Projekti prej 11 milionë lekësh parashikon konsolidimin e mureve të kishës dhe rindërtimin e çatisë. Ndërhyrja e fundit shpëtuese në çatinë e objektit është bërë mes viteve 1931 dhe 1936.
Që atëherë kisha pësoi dëmtime të njëpasnjëshme prej lagështirës dhe solli shumë pranë rrezikut të shembjes murin jugor të objektit.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka cilësuar këtë kishë si unike dhe ka theksuar se faza e dytë e projektit do të konsistojë në restaurimin e ikonostasit.
“Është një kishë unikale se ka brenda ikonostasin më të veçantë, një vepër arti e jashtëzakonshme si për detajet, nga pasuria e simbolikës, edhe nga mënyra se si është punuar. Faza e dytë e projektit të ndërhyrjes është pikërisht përgatitja për restaurimin e ikonostasit, që është dhe vepra më e jashtëzakonshme estetike brenda kësaj kishe”, ka deklaruar Kumbaro.
“Fjetja e Shën Mërisë” në Sopik është kisha e tretë në qarkun e Gjirokastrës pas asaj të Bënjës dhe Kosinës, që i nënshtrohet restaurimit, brenda tre muajve të fundit.
Kisha e Sopikut, e shpallur monument kulture në vitin 1963, njihet për ikonostasin e punuar në dru arre në vitin 1836 nga skulptori Nikolla i Bitolës. /Tch