Flamur Golemi: Çadra e dëshpërimit s’e baltos dot punën e Tërmet Peçit në Tepelenë

Pas reagimit javën e shkuar të ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro në mbrojtje të kryebashkiakut të Tepelenës, ka reaguar sot edhe kreu i PS-së Gjirokastër, Flamur Golemi.

Përmes një mesazhi të postuar në faqen e tij në Facebook, Golemi vlerëson punën e Tërmet Peçit si kryebashkiak, ndërsa e konsideron absurde kërkesën e Prokurorisë për t’i ndërprerë mandatin.

Më poshtë reagimi i tij i plotë:

Kam ndjekur ditët e fundit komentet, akuzat, etiketimet dhe sulmet ndaj kryebashkiakut të Tepelenës, Tërmet Peçi, dhe si të gjithë ju, jam njohur gjithashtu me kërkesën publike të Prokurorisë për t’i hequr mandatin, kërkesë që më duket absurde për aq sa unë e njoh ligjin e dekriminalizimit.

Përtej të gjitha këtyre, ka një realitet që nuk mund ta zhbëjë askush, ka disa të vërteta që flasin më shumë sesa çdo thirrje e dëshpëruar që bëhet nga çadra e PD-së apo gjetkë. Tepelena nën drejtimin e Tërmet Peçit ka njohur ndryshime kolosale.

Janë bërë investime që as nuk ishin menduar më parë. Sot qyteti ka një pamje tjetër, ka një perspektivë të re dhe më shumë mundësi për zhvillim.

Tepelena ka një kryebashkiak në shërbim të qytetarëve dhe këtë s’e mohon dot askush, përfshi edhe ata që çirren nga brenda e jashtë çadrës së dëshpërimit. Për cinikët që komentojnë ndonjë lapsus apo gabim njerëzor në komunikimet publike të Tërmet Peçit, di të them se më mirë është t’i shohim punën sesa gunën. Le ta vlerësojmë për çfarë ka bërë e po bën për Tepelenën.

Qytetarët kanë nevojë për punë, investime e shërbime publike dhe jo për fjalë të bukura sa për t’i hedhur hi syve. Sidoqoftë 18 qershori është prova e radhës, se përbaltja dhe shpifja janë alternativa që do të refuzohen sërish me votë prej qytetarëve. Përpjekjen tonë të përbashkët për të bërë shtet dhe për të transformuar Shqipërinë, s’e ndal dot askush.

/ArgjiroLajm.net