Flamur Golemi ‘largohet’ nga Bashkia Gjirokastër, rikthehet në spital për emergjencën e koronavirusit

Edhe pse në Gjirokastër s’ka ende të prekur nga koronavirusi, spitali rajonal “Omer Nishani” qëndron në gjendje gatishmërie për çdo rast që mund të paraqitet në momentet e para, pasi më pas do duhen kryer analizat në Tiranë për të kuptuar nëse pacienti është i prekur apo jo. Krahas mjekëve dhe personelit të përhershëm, sot në ambientet e spitalit është parë edhe kryebashkiaku Flamur Golemi.

Argjirolajm.net siguron një foto teksa Golemi shihet bashkë me drejtorin e spitalit, Sokol Feruni. Golemi është i veshur me përparësen e bardhë të mjekut, si dhe maskën mbrojtëse e cila është kthyer së fundi në aksesorin më të domosdoshëm për të gjithë. Nëse maskën e ka për vetëmbrojtje, fakti se është veshur me përparëse të bardhë, të lë të kuptosh sikur Golemi është rikthyer si mjek në spital për të ndihmuar ish kolegët e vet që po përballen me një situatë të pazakontë. Pra, mund të jemi në kushtet kur kryebashkiaku “braktis” detyrën e marrë në 30 qershor dhe rikthehet në spital për të ndihmuar në situatën emergjente nga koronavirusi.

Nga ai vetë s’ka ende një konfirmim nëse është angazhuar realisht ne spital apo prezenca e tij sot ishte rastësi. Kujtojmë që Flamur Golemi është me profesion mjek dhe ka shërbyer në spitalin rajonal si okulist përpara se të niste angazhimin politik. Një ditë më parë kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së qeverisë iu bëri thirrje të gjithë mjekëve të dalë në pension dhe specialistëve të shëndetit publik, të asistonin me çfarë të mundeshin në këtë situatë emergjente.

Ndoshta edhe Golemi i është përgjigjur thirrjes së Ramës dhe ka rinisur sot punë në spital. Lajm i mirë nëse është e vërtetë, por të paktën shpresojmë që maskën të mos e ketë të skaduar sikundër pretedon opozita dhe që të vijojnë punët normalisht në bashki edhe pas ikjes së tij./ argjirolajm.net