Flamur Golemi: Njerëz me pushtet morën tokat e Lunxhërisë, gjoja për të ndërtuar ferma, por thjesht përfitonin para nga skemat e subvencioneve
Deputeti i Gjirokastrës, Flamur Golemi, mbajti sot në Kuvend një fjalim për projektligjin e shtyrjes së afateve për Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi, i cili synon të formalizojë pronësinë mbi tokën nga e ana familjeve bujqësore në mbarë vendin.
Në një pjesë të fjalimit, teksa po fliste për këtë problem në Gjirokastër, Golemi përmendi në mënyrë të veçantë Lunxhërinë, ku sipas tij njerëz me pushtet u kanë marrë tokat fshatarëve. Por sidoqoftë ai nuk përmendi emra konkretë se kush janë këta njerëz me pushtet.
“Bashkia Gjirokastër ka rreth 6 mijë hektarë tokë bujqësore të ndarë sipas ligjit 7501, ku pjesa më e madhe, rreth 2 mijë hektarë, ndodhet në njësinë administrative Lunxhëri. Aty ku në disa raste individë me pushtet politik, ua kanë marrë tokat njerëzve të zakonshëm, gjoja për të ndërtuar ferma të mëdha ku do të punësoheshin edhe banorët e zonës, por që në të vërtetë kanë qenë thjesht manovra për të përfituar para nga skemat shtetëtore të subvencioneve, ndërkohë që në të vërtetë qindra hektarë qëndruan djerr”,tha Golemi.
Më tej ai ftoi deputetët, përfshi edhe ata të opozitës, ta votonin projektligjin, i cili sipas tij është i një rëndësie të madhe për qytetarët që jetojnë në zonat rurale.
©ArgjiroLajm.net