Flamur Golemi thirrje mbështetësve të PD-së: Lereni Tritan Shehun të dalë në pension, votoni PS-në

Kandidati për deputet i PS-së, Flamur Golemi i bën thirrje mbështetësve të Partisë Demokratike të mos e shpërdorojnë votën për një kandidat si Tritan Shehu, ndonëse nuk e përmend nominalisht me emër. Sipas Golemit, Tritan Shehu nuk ka më çfarë të japë, thjesht po pret të dalë në pension.

Vota për PS-në është votë për Shqipërinë që duam, shkruan Golemi në faqen e tij në Facebook. Më poshtë postimi i tij i plotë.

Me urimin për një të diel të mbarë, ftoj mbështetësit e Partisë Demokratike në qarkun Gjirokastër që pas një jave të zgjedhin me mendje dhe jo me zemër. Vota për PS-në është votë për Gjirokastrën që duam, për Shqipërinë që duam. Vota për PD-në është votë e çuar dëm, është një mundësi e humbur. Ne nuk duam të kthehemi pas, por kemi nevojë të vazhdojmë me reformat dhe investimet. Prandaj mbajeni në zemër partinë, mbajini dhe dy gishtat lart, por në 25 qershor zgjidhni numrin 2 në fletën e votimit. Kandidati që ju propozon PD është shumë i vjetër politikisht dhe thjesht po pret të dalë në pension. Gjirokastra nuk mund të jetë streha e tij si deputet. Gjirokastra ka nevojë për njerëz që duan të punojnë dhe t’i shërbejnë banorëve. Unë do të jem edhe deputeti juaj, siç kam qenë për gjithë këto vite mjeku juaj.