Flamurtari feston me 5 gola ndaj Luftëtarit, gjirokastritët regjistrojnë humbjen e dytë
Nuk ka histori në Vlorë, aty ku Flamurtari shkatërroi Luftëtarin debutues me rezultatin 5-0.
Skuadra e Gugash Maganit dha sinjale të rëndësishme duke zhvilluar një ndeshje spektakolare përballë gjirokastritëve.
Skuadra vlonjate e vendosur mirë në fushën e lojës, e nisi sfidën me presion në gjysmëfushën kundërshtare duke e gjetur rrugën e rrjetës që në minutën e 3 me autor Donjet Shkodrën.
Ende pa marrë veten nga goditja e shpejtë, Luftëtari pësoi edhe golin e dytë 6 minuta më pas. Mersini nuk arriti të largonte një top të krosuar në zinë dhe Bushiç bëri gjithçka mirë duke vulosur golin e dytë.
Bluzinjtë u përpoqën të reagonin kryesisht me shpërthimet e talentit vlonjat Dejvi Bregu por kaq nuk mjafton për të gjhetur golin pasi idetë në fazën ofensive munguan.
Në momentin më të mirë për gjirokastritët erdhi edhe goli i tretë (34). Galiç me kokë tund rrjetën e Luftëtarit për të tretën herë.
Takimi praktikisht u mbyll në këtë moment pasi gjirokastritët nuk gjetën fuqi të reagonin ndaj leksionit të marrë gjatë 45 minutave të para.
Sërish nga jashte zonës dhe sërish Shkodra në minutën e 63 shënoi golin e katërt.
19 minuta nga fundi, Radovic gjeti grushtet e Mirakës i cili nuk mundi të ndalonte Shehajn që shënoi edhe golin e pestë.
Një mbrëmje e turpshme për skuadrën gjirokastrite që duket se nuk është ambjentuar ende me klimën në Superiore, ndërsa Flamurtari rrëmben tre pikëshin e parë me një sukses të thellë që tregon se skuadra vlonjate dalëngadalë ka marrë fytyrën e trajnerit Gugash Magani./SuperSport