Flet Elhaida Dani: Nuk stonova në Eurovision. Kënga ime ishte më e vështira

Elhaida-Dani-Eurovision-2014-700x385Elhaida Dani i përgjigjet në DITA kritikave për përfaqësimin në Eurovizion. Këngëtarja nuk duket aspak e shqetësuar për komentet në rrjetet sociale apo dhe shkrimet me doza të forta kritike ndaj saj.

Jam krenare për atë që dhashë në Eurovizion. Nuk kam lexuar kritika, por në funpage kam parë vetëm inkurajim dhe komente të dashura”, tha Elhaida.

Ndërsa duke folur për natën e stonimit, ajo përgjigjet siç nuk do na e priste mendja: “Nuk kam stonuar. Kënga ime ishte teknikisht më e vështira e Eurovizion.Jam kritike ndaj vetes dhe do e pranoja me përulësi një gabim, por nuk kam stonuar”, shpjegon ajo.

Nga këngët konkurruese, Elhaida ka pëlqyer Belgjikën, Rusinë dhe Italinë, sigurisht edhe këngën fituese të Suedisë.

 

Mira Kazhani: Elhaida, si i pritët komentet negative?

Elhaida Dani: Nuk i kam lexuar të them të drejtën. Në adresën time kam lexuar vetëm inkurajim e fjalë të dashura, për mua dhe këngën.

Mira Kazhani: Si ndihet një këngëtare e talentuar si ju, kur provon stonimit në skenë. Mund t’i ndodh çdokujt. Unë nuk ju kam dëgjuar personalisht dhe sikur nuk kam vesh muzike, por lexova shumë komente ku thonin se ju zhgënjyet dhe stonuat? Çfarë ndodhi? 

Elhaida Dani: E kam dëgjuar unë veten time dhe po ju them që nuk kam stonuar. Kënga ime ishte më e vështira teknikisht në Eurovizion dhe jam krenare për veten. Unë jam kritike ndaj vetes dhe me përulësi do e pranoja gabimin. Por kjo nuk ka ndodhur.

Mira Kazhani: Kështu mendon edhe mentori juaj Cocciante? A keni folur me të? Ai ju ka ndjekur?

Elhaida Dani: Ai më ka ndjekur dhe më ka dhënë mbështetje të jashtëzakonshme si gjithmonë. Kemi lënë edhe një darkë ku do flasim më gjatë dhe më nga afër për Eurovizion.

Mira Kazhani: Çfarë do bëni këto ditë që jeni kthyer? 

Elhaida Dani: Do të shkoj në Shkodër të pushoj pranë njerëzve të mi të dashur. Kam nevojë për pak pushim./DITA