Fotografia me policin në Teqe, kandidati i PS në Gjirokastër i përgjigjet Berishës: As vendet e shenjta s’le pa njollosur

Ish-kryeministri Berisha ka postuar gjatë ditës një foto të kandidatit për deputet të Partisë Socialiste në qarkun Gjirokastër, Laert Duraj. Sipas Berishës policia merr pjesë ne takimet e elektorale të kandidatit.

“Çunat e Krimit te Narko-Policise, ne takime elektorale te paraqitjes se Narko-Kandidateve”, shkruan Berisha në Facebook teksa publikon dhe foton.

Por në një reagim të menjëhershëm kandidati Duraj sqaron ngjarjen dhe thotë se fotografia është shkrepur në Teqenë e Çërrilës, ku ka qenë i ftuar nga më 2 maj nga Babai i Teqesë. Sipas Durajt  “çdo insinuate në lidhje me përfshirjen e policisë apo çdo lloj strukture tjetër policore është thjesht keqdashësi”.

Më poshtë regimi i tij i plotë:

Dëshiroj t’Ju informoj në lidhje me lajmin e përhapur në disa portale, ku hamendësohet përfshirja e policisë në fushatën time zgjedhore si kandidat për deputet, Qarku Gjirokastër, Bashkia Memaliaj.

E vërteta është fare e thjeshtë. Foto është shkrepur në pasditen e datës 2 Maj, në festën e Teqesë së Çërrilës.

Unë ndihem shumë i nderuar që kam marrë pjesë në këtë festë si ftuar i Babait të Teqesë. Ashtu si e do tradita e zonës, dera është e hapur për të gjithë, ndërsa vendet përcaktohen nga i zoti i shtëpisë.

Kështu, çdo insinuate në lidhje me përfshirjen e policisë apo çdo lloj strukture tjetër policore është thjesht keqdashësi. Ndihem i habitur që vrulli për të njollosur këtë proces zgjedhor nuk ndalet as para Vendeve të Shenjta. Megjithatë, kam bindjen e plotë që ky proces do të jetë i pari brenda standarteve Europiane, duke na çuar drejt Shqipërisë Europiane, drejt Shqipërisë që duam.