“Fox Sports”: “Shqipëria u lutet tifozëve të mos përdorin dronë”
Rrjeti prestigjioz amerikan “FOX” i ka kushtuar vëmendje masave që po merren në prag të ndeshjes Shqipëri – Serbi më 8 tetor në “Elbasan Arena”. Sipas një shkrimi të botuar me titullin “Autoritetet shqiptare u luten tifozëvë: Jo dronë ju lutem!” theksohet se apelet janë të vazhdueshme për këtë takim.
“FOX” citon zëdhënësin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Tritan Koka se biletat e ndeshjes do mbajnë emrat e çdo personi- do verifikohen me karta identiteti- dhe një mesazh të printuar ku thuhet: “Ne dimë si të luftojmë për fitore, por duhet të tregojmë edhe shpirt qytetarie dhe të respektojmë ekipin vizitor”. Autoritetet thonë se 1 mijë policë do të ofrojnë siguri për ndeshjen e grupit I në Elbasan Arena, rreth 50 kilometra në jug të kryeqytetit Tirana.
“FOX” kujton se ndeshja e parë e kualifikuese u braktis në Beograd vitin e shkuar për shkak të dhunës mes lojtarëve dhe pushtimit të fushës nga tifozët vendas. Shqipëria e mori ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0. Shqipëria është e treta në grup me 11 pikë në gjashtë ndeshje. Portugalia udhëheq me 15 pikë, e pasuar nga Danimarka me 12 pikë, por ata kanë luajtur një ndeshje më shumë. Dy të para kualifikohen automatikisht, skuadra e tretë luan në play off.