FRESSH Gjirokastër: Të rinjtë e PD-së për të ardhur keq, në panik dhe të dëshpëruar njësoj si çadra

Pas deklaratës së FRPD Gjirokastër kundër Edi Ramës dhe takimit të tij me të rinjtë e qarkut, vjen reagimi nga forumi rinor i PS.

FRESSH Gjirokastër përmes një deklarate të postuar në Facebook shpreh keqardhjen për të rinjtë e PD që përdoren nga “marifetxhinjtë e politikës së vjetër të opozitës”, ndërsa i kujtojnë se në 18 qershor gjirokastritët do të votëbesojnë sërish Partinë Socialiste. Më poshtë deklarata e FRESSH Gjirokastër.

Të kapur në panik nga takimi i djeshëm i të rinjve të qarkut me kryeministrin Edi Rama, Partia Demokratike nxori dhunshëm disa të rinj të forumit për të lexuar një deklaratë që tregonte qartë dëshpërimin e tyre. I njëjti dëshpërim për pushtet që ka mbushur çadrën, për fat të keq ka zënë vend edhe tek të rinjtë e PD-së, të cilët do duhej të ishin të parët që t’i jepnin zë një politike ndryshe të opozitës. Por FRPD Gjirokastër zgjodhi të fliste me gjuhën e politikës së vjetër, me etiketime dhe shpifje që për fat të mirë qytetarët e Gjirokastrës nuk i besojnë. Me zë dhe figurë tentuan të gënjejnë gjirokastritët duke i thënë se “kryeministri Edi Rama donte të shembte Kalanë e Gjirokastrës përmes projektit të “Bypass-it”. Nuk ka njeri që e beson këtë mufkë të shprehur prej të rinjve të PD, por të shkruar nga marifetxhinjtë e politikës së vjetër në atë parti. Projekt-ideja e “Bypass-it” synonte të kthente në pedonale zonën historike, por jo të shembte Kalanë siç thonë të rinjtë e FRPD Gjirokastër. Megjithatë nuk kanë sesi të shprehen ndryshe, pasi PD kujton se ato që ka bërë vetë me monumentet e kulturës, do t’i bëje edhe qeverisja e PS. Modeli i PD-së janë ndërtimet brenda monumenteve dhe më pas legalizimi i tyre, njësoj siç bënë në Kalanë e Tepelenës dhe gjetkë. Modeli ynë është restaurimi i monumenteve, rijetëzimi i tyre dhe vënia në shërbim të zhvillimit të turizmit. Ky model do të votëbesohet sërish me votë në 18 qershor, ndërsa çadra do të vazhdojë të mbushet me dëshpërim.