Frika nga refugjatët sirianë, “blindohet” kufiri në Kakavijë

 Frika nga refugjatët sirianë, “blindohet” kufiri në Kakavijë

tmp_5939-policia-51076678767Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë do të jenë në gatishmëri për çdo situatë që mund të verifikohet në kufirin shqiptar me Greqinë.

Një urdhër i drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i dalë pas deklaratës së kryeministrit shqiptar se vendi do t’i mbyllë kufijtë njësoj si vendet e tjera të rajonit, autorizoi FNSH-të të jenë në gatishmëri, raporton Top Channel.

Kjo është masa e parë e marrë nga policia, ndërsa janë autorizuar të dyja drejtoritë, e Gjirokastrës dhe Korçës, që të përforcojnë praninë në kufi. Policia shqiptare nuk kishte marrë gjer të enjten asnjë masë shtesë për një ardhje të mundshme të refugjatëve sirianë në Shqipëri.

Sipas korrespondentëve të Top Channel në Kakavijë dhe Kapshticë, edhe gjatë ditës së sotme ka patur masa rutinë në të dyja pikat e kalimit kufitar me Greqinë.

Ndërsa në mbrëmje respektohet shërbimi policor me anë të patrullimeve apo postblloku që më së shumti ngrihet për parandalimin e ndonjë veprimtarie kriminale.

Sipas akteve ligjore në fuqi, partnerët janë të detyruar ta njoftojnë Shqipërinë nëse ka fluks sirianësh drejt kufirit, të paktën 15 km afër, çka konsiderohet e nevojshme për të marrë masa për çdo skenar të mundshëm.

Policia në këto momente është e shqetësuar për një tjetër histori. Ajo e kalimit të individëve të caktuar të fshehur mes refugjatëve sirianë që mund të jenë elementë terroristë. Në këtë shqetësim është përfshirë edhe qeveria.

Policia siguron se deri më tani mundësia e kalimit të ndonjë elementi të tillë në kufi është zero. Ndërkohë që agjencitë e shërbimeve inteligjente të rajonit nuk kanë përcjellë drejt Shqipërisë ndonjë informacion të tillë.

Për këtë siguroi edhe ministrja e Mbrojtjes, e thirrur në komisionin e sigurisë kombëtare të hënën e kësaj jave. Kodheli tha se, mes refugjatëve është konfirmuar që ka elementë keqbërës, por ka komunikim të vazhdueshëm dhe të përditësuar me shërbimet inteligjente të rajonit, duke e konsideruar deri në kufijtë e të pamundurës që këta elementë të kalojnë nëpërmjet Shqipërisë.

Informacione në lidhje me refugjatët më shumë është duke përpunuar antiterrori si edhe Shërbimi Inteligjent Shqiptar, informacione që konsiderohen tepër sekrete, që gjithësesi janë informacione të ndërsjellta me homologët e rajonit.

Policia kriminale ka kërkuar informacion për riaktivizimin e grupeve të trafikantëve të cilët mund të përfitojnë për të kaluar drejt Italisë grupe të vogla refugjatësh, por deri më tani në zyrat qendrore ende nuk ka mbërritur ndonjë informacion në rrugë operative.

Libohova Online