Fushata në Gjirokastër/ Për kë punon Flamur Bime?

Që pas publikimit të listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në Gjirokastër, Flamur Bime nuk është parë më në asnjë takim elektoral.

Ish-kryebashkiaku që aktualisht mban postin e Prefektit të Gjirokastrës është distancuar nga fushata elektorale, të paktën tek pjesa publike e saj. Pyetja që shtrohet në këtë rast është kjo: Për kë punon Flamur Bime?

Një natë më parë i ftuar në televizionin Alpo, kryesuesi i listës së PS-së, Bledi Çuçi, të njëjtës pyetje iu përgjigj: “Nuk e di, por për PS-në nuk punon”.

Në një situatë kur vetë drejtuesi politik i fushatës së PS-së për qarkun Gjirokastër, pohon se Flamur Bime nuk punon për fitoren e Partisë Socialiste, kjo ngjall dyshime për ndonjë aleancë të mundshme të tij me kandidatë të tjerë.

Disa ditë më parë në nisje të fushatës, Flamur Bime është takuar në një prej lokaleve te Parku i Viroit, me kandidatin e LSI-së, Vangjel Tavo. Nuk dihet çfarë kanë biseduar me njëri-tjetrin. Ndërkohë zëra të shumtë në Gjirokastër thonë se Flamur Bime porosit njerëzit e vet, të votojnë për LSI-në, si “hakmarrje” ndaj Edi Ramës që nuk e përfshiu atë në listën e kandidatëve për deputetë.

Edhe Flamur Golemi gjatë një interviste në televizionin Channel 7 disa ditë më parë, la të kuptohej se Flamur Bime nuk është në anën e PS-së në këtë fushatë.

Deri më tani, përveç mungesës në takimet elektorale, nuk ka asnjë reagim prej ish-kryebashkiakut të Gjirokastrës, qoftë edhe një mesazh mbështetës për PS-në në Facebook.

Ai vazhdon të jetë i qejfmbeturi i madh me PS-në, ndonëse prej saj u kandidua tre herë me radhë për kryebashkiak, si dhe u emërua në postin e Prefektit të Gjirokastrës.

/ArgjiroLjam.net/