Gjirokastër, aksidenti e paralizoi 2 muaj më parë, 21 vjeçari apel për ndihmë

theodhori-coni-para-aksidentit-148x103I paralizuar dhe në gjendje tepër të vështirë ekonomike, i riu 21 vjeçar nga fshati Kakoz në Gjirokastër apelon për ndihmë.

Aksidenti i ndodhur dy muaj më parë i ndërpreu në mes rrjedhën e jetës djaloshit Thodhori Çoni. Ai pohon se ka qenë neglizhenca e mjekëve të spitalit të Gjirokatrës dhe padituria e atyre që e transportuan për në spital një ndër faktorët e përkeqësimit të situatës së tij.

Edhe pse i shtrirë në krevatin që tashmë mbush përditshmërinë e tij, me këmbët që nuk mundet t’i lëvizë për të dalë sërish me bashkëmoshatarët e vet dhe për të kërkuar punë në ndihmë të familjes, në sytë e tij mbizotëron shpresa.

Me buzëqeshjen në buzë ai rrëfen se shpreson që një ditë të mundet të ngrihet nga shtrati ku e ka pllakosur fatkeqësia, ndërsa bën thirrje për ndihmë në pamundësi për të përballuar shpenzimet e kurimit të nëvojshëm.

E ëma e tij, Melpo Çoni tregon se e kanë vizituar djalin e tyre në shumë mjekë, por deri më tani, mundësia më e mirë është një operacion i dytë në Janinë dhe fizioterapia e veçantë. Të dyja tepër të kushtueshme për këtë familje të varfër dhe të papunë.

Mes trishtimit për fatin e të birit dhe pamundësisë për të punuar ajo i bën apel pushtetit vendor dhe kujtdo që ka mundësi t’i vijë në ndihmë familjes së saj.

E vetmja e ardhur për familjen Çoni është pagesa e saj e invaliditetit, ndërsa bashkëshorti dhe dy djemtë e tjerë të familjes përballen prej kohësh me papunësinë./Ora News