Gjirokastër, ballistët futin në ‘sherr’ Dasho Alikon me Petro Koçin

Zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi teksa mori pjesë në homazhet e varrezave të dēshmorëve në Gjirokastër për 29 nëntorin, tha se ballistët duhet të kërkojnë falje.

“Pati edhe nga ata që bashkëpunuar me fashizmin dhe nazizmin. Besoj se është koha që pasardhësit e tyre të kërkojnë falje për atë tradhti që kanë bërë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, u shpreh Koçi.

Pas kësaj deklarate ka reaguar kreu i ri i PD-së, Dasho Aliko. Ai e pyet Koçin në ka kërkuar falje PS-ja për krimet e Enver Hoxhës. Më poshtë deklarata e plotë e Alikos.

Deklarata e zotit Koci, tregon qartë se ideologjia komuniste ngelet në gjenezë për zyrtarët e lartë të qeverisë socialiste si pasardhëse e denjë e partisë së Enver Hoxhës.

Kjo deklaratë, është e dënueshme dhe në vazhdën e urrejtjes klasore e politike që po ndjek kjo qeveri si pasardhëse e denjë e pinjollëve të rregjimit, karshi shtresës patriotike dhe liridashëse që përfaqësohej gjatë luftës për clirimin e vendit.

PD cmon dhe respekton kontributin e atyre që kanë rënë duke luftuar për clirimin e vendit pavarësisht ideve të tyre apo orjentimeve politike që kishin.

Zoti Koci, para se të fliste duhet t’a dinte se roli i forcave nacionaliste në Gjirokastrën e asaj kohe, ishte themelor kundër pushtuesve të huaj. Lufta e Gërhotit ku u vranë dhjetëra forca nacionaliste, njihet si beteja më e përgjakshme ndaj okupatorit të huaj por zotit Koci, nuk i hyn në sy kjo betejë për shkaqe ideologjike njësoj si dikur.

Dhe së fundi, po i drejtohem zyrtarit socialist me një pyetje. A keni kërkuar falje ju dhe partia juaj pasardhëse e partisë së Hoxhës, për krimet monstruoze, izolimin, internimet, pushkatimet, varfërimin, robërimin e popullit shqiptar në 50 vjet diktaturë komuniste?