Gjirokastër/ Basha i rikthehet retorikës së vjetër: Veç PD mund të luftojë krimin, drogën dhe korrupsionin
Kryedemokrati i “ngrirë” Lulzim Basha bashkëbisedoi me anëtarësinë e Gjirokastrës, Tepelenës, Memaliajt, Përmetit, Këlcyrës të cilëve u tha se vetëm PD e ka moralin për të luftuar kanabisin, krimin dhe korrupsionin.
Basha mendon se mazhoranca e sotme është fryt i deformimit të vullnetit të qytetarëve dhe s’ka moral politik për ta udhëhequr këtë betejë.
Ai heq një paralele edhe me PD-në e vitit 1991 ku paralajmëron se do jetë njësoj si atëhere kur u ruajt morali politik.
“Me fillimin e fushatës ju gjetët një terren tërësisht të helmuar dhe të minuar nga aktiviteti i kundërshtarit i cili në shumë raste prej javësh dhe muajsh kishte kryer kapjen dhe nënshtrimin e votuesit përmes shitblerjes së votës dhe kishte vënë në funksion të kësaj gjithë makinerinë e presionit të pushtetit dhe të bandave. Në këto kushte, njësoj si në vitin 1991 peshorja ishte e prishur. Në njërën anë ishte rreshtuar pushteti, shteti, administrata, institucionet, policia, bandat me paratë e tyre, lekët e korrupsionit, përqindjet e tenderave dhe koncensioneve, të gjitha mediat, nga ana tjetër, e vetmja palë, e vetmja parti që doli para shqiptarëve pa aleancë me krimin, nuk u përlye në shitblerje votash dhe ofroi një program politik për hallet e shqiptarëve, ishte Partia Demokratike”, tha Basha.
Basha tha se kreditë morale që ka treguar PD në këto zgjedhje, dhe 450 mijë shqiptarët që zgjodhën këtë rrugë, janë një burim frymëzimi për ecjen përpara.
“Njësoj si në vitin 1991, e vetmja forcë që ruajti moralin duke treguar rrugët e daljes për çdo shqiptar është forca e koalicionit dhe Partisë Demokratike. Dhe në këto kushte të pabarabarta, mbi 450 mijë shqiptarë që ndoqën rrugën tonë, duke refuzuar jo pa rrisk ankandin e votave, duke refuzuar presionin e krimit dhe të shtetit, janë një frymëzim i madh për mua, jam i sigurtë për ju dhe Partinë Demokratike”.
“Tani të gjithë e panë se Edi Rama nuk mund të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme, se me krimin dhe drogën nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Se e vetmja rrugë është përballja dhe fitorja mbi ta me masën popullore që mund dhe do të ndjekë vetëm ata që kanë moralin për ta udhëhequr këtë betejë. Dhe moralin sot nuk e ka asnjë forcë tjetër politike përveç Partisë Demokratike”, u shpreh Basha.
Lulzim Basha tha se rruga e ringritjes nis nga bashkimi i çdo demokrati dhe vlerësimi në bazë të kontributit.