Gjirokastër, çertifikohen mjeshtrat e parë të restaurimit pas 25 vitesh

Në Gjirokastër u certifiuan dje mjeshtrat e parë të restaurimit, pjesë e kursit profesional për mjeshtrit dhe çirakët e rinj të projektit të trashëgimisë “Aftësi për Punësimin e së Nesërmes”.

Në një ceremoni të organizuar në qytetin e gurtë, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro i dorëzoi certifikatat “mjeshtrave”dhe “ndihmës mjeshtrave” të parë pas 25 vitesh, në fushën e restaurimit.

Agron Haska, mjeshtri i drurit nga Gjirokastra, që filloi të punonte në këtë zanat që 13 vjeç, ishte frymëzimi. Ai ka filluar punën si ndihmës e më pas si restaurues mjeshtër pranë Ndërmarrjes së dikurshme të Restaurimeve, që prej vitit 1968.

“Puna e përditshme me monumentet na bëri të kuptojmë edhe më shumë sa e nevojshme ishte ruajtja e mjeshtërive tradicionale në ndërtim.U deshën disa vite për ta ndërtuar si program, për të arritur në ditën e certifikimit të “mjeshtrave” dhe “ndihmës mjeshtrave” të parë pas 25 vitesh, në fushën e restaurimit”, thuhet në njoftimin e organizatës “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, CHwB Albania.

Gjatë ditës së sotme, e enjte, do të zhvillohet ceremonia e shpërndarjes së certifikatave në Korçë dhe të premten në Berat.

Projekti “Aftësi për Punësimin e së Nesërmes” u mundësua nga CHwB Albania, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Kulturës, Ministria e Ekonomisë të Shtetit Federal të Hessen-it nëpërmjet GIZ, bashkëpunimi gjermano-shqiptar dhe qeveria suedeze, drejtoria rajonale e formimit profesional publik Gjirokastër, Korçë, Berat, Instituti i Monumenteve të Kulturës.

Projekti “Aftësi për Punësimin e së Nesërmes” përfshiu edhe mjeshtrat e vjetër, por edhe të rinjtë, duke siguruar në këtë mënyrë përfshirjen e mjeshtrave të vjetër dhe shpëtimin e dijes së tyre duke e transferuar atë te të trajnuarit më të rinj.

Qëllimet kryesore të këtij programi ishin ruajtja e mjeshtërive dhe teknikave tradicionale, kualifikimi i personave që operojnë në këtë fushë, rritja e cilësisë së punimeve (sipas standardeve të restaurimit dhe konservimit), si dhe më shumë mundësi punësimi për të rinjtë dhe emigrantët që vendosin të kthehen për të punuar dhe jetuar në Shqipëri.