Gjirokastër, dhunohet fizikisht nipi i kreut të PD në Lazarat

dhuna (1)Një 23 vjeçar nga Lazarati është rrahur e dhunuar fizikisht nga persona të panjohur e të maskuar. Ngjarja ka ndodhur orët e para të ditës së enjte disa minuta pas mesnatës së datës 10 shtator. Sipas rrëfimit vetë të dhunuarit për A1 Report 23 vjeçari nga Lazarati Rozert Çelo, nipi i kryetarit të PD së Lazaratit Bernard Pollo, personat që udhëtonin me një makinë kanë goditur motorin e Çelos në hyrje të fshatit Lazarat.
 
Pas debateve ata e kanë goditur me grushta e shkelma duke e lënë pa ndjenja në tokë, ndërsa i kanë grabitur edhe një shumë prej rreth 50 mijë lekësh të rinj. Kanë qenë uniformat blu që patrullojnë në Lazarat prej 2 muaj e gjysmë të cilët kanë gjetur dhe transportuar më pas në Spitalin e Gjirokastrës vetë të dhunuarin.
 
I pyetur nëse ka patur konflikte të mëparshme apo nëse ka mundur të bëjë identifikimin e personave që e kanë goditur, Rozert Çelo, shprehet se gjithçka mbetet një pikëpyetje, pasi ai dhe familja e tij nuk kanë asnjë konflikt personal.
 
Aktualisht Çelo ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin rajonal “Omer Nishani”, ndërkohë që ende nuk ka ngritur denoncim për personat e panjohur që e dhunuan dhe grabitën. /Shqiptarja.com

Libohova Online