Gjirokastër, familja Haska “e zhytur” në mjerim, 6 anëtarë jetojnë në një dhomë të rrënuar (VIDEO)

vcxxbvnVarfëria duket se është ulur këmbëkryq edhe në familjen Haska në lagjen “Dunavat” në Gjirokastër. Vetëm 26 vjeçe, Pranvera është nënë e 4 vajzave, më e madhja prej të cilave në klasën e parë, ndërsa më e vogla vetëm 10 muajshe.

Të papunë dhe vetëm me pagesën e ndihmës ekonomike, familja prej 6 anëtarësh jeton në një banesë të vjetër gjirokastrite që ka të banueshme vetëm një dhomë, ndërsa kudo mbizotëron lagështia dhe muret e çatia e banesës rrezikojnë shembjen, duke rrezikuar seriozisht jetën e prindërve dhe vajzave të mitura.

Pranvera tregon se është tepër e vështirë të jetohet në kushte të tilla, po aq e vështirë sa edhe të gjendet një punë, së paku për bashkëshortin e saj. “E madhja është 7 vjeç, e dyta është 5, e treta është 3 dhe kjo është 10 muajshe, më e vogla. Burri ka të paktën 2 vjet pa punë. Del mbledh dru nëpër përronj dhe ja ngroh në sobë, për të ngënë s’kam asgjë”.

Situata bëhet edhe më e vështirë në ditët e ftohta të dimrit për të jetuar në banesën ku mungojnë pothuajse të gjitha pajisjet elektroshtëpiake dhe ku frigoriferi i vjetër dhe i ndryshkur është krejtësisht i boshatisur.

“Edhe asistencën e kemi lidh me një luftë të paparë se nuk e meritoni, thoshin. Fëmija është në shkollë, çfarë do hajë ajo gjithë ditën me vetë, do libra. Unë jam e krimbur në borxhe. Bleva për vajzën, mora borxh. 500 mijë lekë i kam marrë borxh në dyqan, ushqime, që kur kemi ardhur këtu e deri më sot. 100 mijë lekë i kam tek një tjetër pak më lart. Shtëpia laget nga të gjitha anët, kjo pikon, po ne s’kemi ku të vemi. As kjo nuk është e jona, na e ka lënë dikush në mirëmbajtje”,- thotë Pranvera per News 24.