Gjirokastër, familja jeton në barake, pa drita e ujë. 15-vjeçarja: Nuk kemi për të ngrënë
Ajo është vetëm 15 vjeç dhe nuk ka marrë asnjëherë një dhuratë. Edhe pse pasioni dhe talenti i saj është piktura, ndryshe nga bashkëmoshatarët e saj Elisa ka vetëm një ëndërr, të ketë një shtëpi të vërtetë.
E ndërsa të gjithë mendojnë si ta festojnë sa më bukur festën e fundvitit, tryeza e familjes Beluli në Gjirokastër do të mbetet e zbrazët. Të pastrehë dhe të papunë, prej një viti e gjysmë pjesëtarët e kësaj familjeje jetojnë në një barakë me llamarina dhe kartona ndërtuar në zall, pa drita e pa ujë, në kushte të mjerueshme dhe shpeshherë, si thotë edhe vajza e vogël e kësaj familjeje, edhe pa ngrënë.
Bashkëshortët Ismet e Mirela Beluli pohojnë se pas largimit nga puna si punëtor në një furrë buke te kryefamiljarit, gjendja e tyre u përkeqësua. Ata u detyruan të largohen nga banesa me qira ku jetonin prej shumë vitesh, në pamundësi për ta paguar.
Vështirësia për të gjetur një punë, qoftë edhe të përkohshme, bën që të detyrohen të kërkojnë borxh tek të afërmit apo të marrin ushqime veresie. Edhe pse janë drejtuar në të gjitha dyert e institucioneve shtetërore ata vazhdojnë ende të jenë të papunë e në mëshirë të fatit.
Kjo është vetëm një prej familjeje në varfëri ekstreme, ndërsa panorama e këtij realiteti në të vërtetë është shumë më e gjerë. Gjithçka kërkojnë këta njerëz është vetëm mundësia për punë e ndërsa festa e fundvitit po afron, e vetmja dritë për familjen Beluli dhe tryezën e tyre të boshatisur, do të jenë fishekzjarrët që do të mbulojnë qiellin minutat e para të 2016-ës, një vit tjetër në mjerim./Balkanweb