Gjirokastër, LSI feston 12 vjetorin, mbillen 120 fidanë pisha në Kërcullë
LSI dega Gjirokastër ka përkujtuar 12 vjetorin e themelimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Përfaqësues të kësaj partie bashkë me anëtarët e forumit rinor i janë drejtuar pikës turistike të Kërcullës për të mbjellë pemë në kuadër të nismës për shtimin e gjelbërimit.
Sipas kryetarit të LSI-së Gjirokastër, Krenar Kulla, aktivitetet nën moton “LSI-ja në shërbim të komunitetit” pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim.
Njësoj si në të gjithë vendin, që prej themelimit e deri në ditët e sotme, edhe në Gjirokastër LSI ka ardhur duke u rritur si forcë politike.
Të qënit gjithnjë në pushtet, përjashto vitet 2005-2009, i ka dhënë mundësi të shtojë votat dhe radhët e anëtarëve përmes vendeve të punës që kontrollonte në administratën shtetërore.
Aktualisht LSI drejton Bashkinë Gjirokastër dhe synon që në zgjedhjet e vitit të ardhshëm të arrijë të marrë dy mandate deputetësh në rang qarku.