Gjirokastër, Luftëtari prezanton portierin grek

Klubi i Luftëtarit ka bërë sot prezantimin e afrimit të fundit në merkaton dimërore, atë të portierit Kristos Athanasopulos, i cili ka firmosur një kontratë njëvjeçare. Afrimi i tij është bërë i ditur pak kohë më parë dhe pritej kthimi i skuadrës nga Turqia që në Gjirokastër të vinte edhe portieri Athanasopulos, i cili vjen nga Trikalla.

Luftëtari blindon kështu edhe portën, ku më parë testoi edhe Çekrezin e ardhur nga Belgjika, por që nuk e kaloi provën. Titullar është në këtë moment Shkëlqen Ruçi, por mbetet për t’u parë më pas se cila do të jetë zgjedhja e stafit teknik. Me Luftëtarin janë bashkuar në merkaton e dimrit Jakovljeviç, Xhekson Ferreira, Aurelio, Liçaj dhe të rinjtë Balla e Bocaj, pa përmendur sulmuesin Vasil Shkurtaj.