Gjirokastër, mjekja del në pension, Tavo thotë që e larguan për motive politike

Deputeti i LSI-së Vangjel Tavo denoncon largimin nga puna të një mjeke nga spitali rajonal ‘Omer Nishani’ në Gjirokastër. Sipas tij, Figali Bashari është pushuar nga puna për motive partiake, pas afro 40 vitesh në atë spital. Por në reagimin e tij të gjatë, Tavo fsheh qëllimisht faktin se mjekja Bashari kishte dalë në pension që prej tetorit të vitit 2017. Ndonëse ka raste kur mjekët vazhdojnë të ushtrojnë profesionin e tyre edhe pas daljes në pension, për Figali Basharin nuk ishte vazhduar kontrata e punës për shkak se Ministria e Shëndetësisë kishte emëruar një mjek tjetër specialist në pozicionin e saj. Më poshtë reagimi i plotë i Tavos.

Bluzat e bardha, heronjtë e heshtur të Gjirokastrës dhe mbarë vendit vazhdojnë të diskriminohen.

Figali Bashari, mjeke e njohur nefrologe në Gjirokastër largohet nga puna me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë. Për afro 40 vite kjo mjeke e shquar i ka shërbyer pacientëve dhe komunitetit, dhe në vend që të vlerësohet, detyrohet të largohet nga puna – në vend që të mbahet e çmohet e të mos largohet siç po bëjnë gjithnjë e më shumë mjekët dhe specialistët, ministria bën të kundërtën e asaj për çfarë ka nevojë komuniteti i qarkut të Gjirokastrës.

Doktoreshë Bashari meriton respektin tonë e mirënjohjen e thellë për të gjithë kontributin që ka dhënë gjatë katër dekadave, e asnjë urdhër largimi nuk mund të ulë profesionalizmin dhe kontributin e saj të vyer. Kjo doktoreshë, e të gjithë bluzat e bardha në mbarë qarkun tonë e mbarë Shqipërinë meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe respekt.

Shëndeti nuk ka ngjyra partiake – jeta e njeriut nuk është krijuar nga politika, ndaj bluzat e bardha janë të gjithë heronj pa ngjyra politike por vetëm pro-jetës dhe pro-sakrificës, ndaj të gjithë duhen respektuar e lejuar të bëjnë atë që dijnë të bëjnë më mirë: të kujdesen për njerëzit dhe të shpëtojnë jetë njerëzish.

Respekte për doktoreshë Figali Bashari, e për të gjithë heronjtë e heshtur të vendit, e një apelim Ministrisë së Shëndetësisë për ta tërhequr urdhërin e dhënë në këtë rast e në çdo rast tjetër që prek sado pak dinjitetin e mjekut.