Gjirokastër, ndihmoi 7 sirianë të kalojnë kufirin, arrestohet 40-vjeçari nga Ekuadori
Në Kuadër të Planit të Masave për Goditjen e paligjshmërisë nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Carlos Joaquin Rosado Valencia, 40 vjeç, lindur në Valencia – Ekuador dhe banues në Denenburg, Hollandë, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi nga kontrolli i ushtruar nga punonjësit e policisë në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavije, në hyrje të Republikës së Shqipërisë në automjetin furgon me targë KG546L, në sediljet e pasme u konstatuan të fshehur (shtrirë) 7 shtetas të huaj Sirianë, nga të cilët ishin 4 burra, 2 gra dhe 1 fëmijë i mitur, të gjithë nga Siria.
Drejtori i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Manol Dhamaj, në një deklaratë për mediat bëri me dije se gjatë muajit tetor në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavije, gjatë kontrollit në vijën e dytë, janë goditur 2 (dy ) raste të trafikimit të lëndëve narkotike.
“Gjatë muajit tetor në Stacionin e Policisë Kufitare Kakavije, është kapur dhe proceduar penalisht një shtetas Italian, për veprën penale “ Mos deklarimi i të hollave në Kufi ”, ku gjatë kontrollit në vijën e dytë në automjetin e këtij shtetasi i është gjetur shuma prej 74.500 euro të padeklaruara.
Nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kakavije janë kapur dhe ndaluar 10 shtetas në kërkim kombëtar për llogari të D.V.P. në Qarqe, për vepra të ndryshme penale, si për vrasje, për kultivim të bimëve narkotike, prodhim dhe shitje të narkotikëve, falsifikim dokumentash, mashtrim, etj.
Po gjatë muajit Tetor nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kakavije, janë kapur 108 shtetas të huaj nga vendet MENA të cilët kanë tentuar të hyjnë në mënyrë të paligjshme në teritorin e Republikës së Shqipërisë”, deklaroi ai.