Gjirokastër, nis Festivali i parë Folklorik në shkallë rrethi

fhgfhgfNë kuadrin e fazës përmbyllëse të veprimtarisë më të madhe kulturore dhe folklorike, Festivalit Folklorik Kombëtar 2015, në kinoteatrin e qytetit të Gjirokastrës u organizua dje konkurrimi midis komunave dhe bashkive të Rrethit të Gjirokastrës. Në skemën e kësaj veprimtarie u përfshinë 260 artistë dhe gjashtë grupe folklorike, Bashkia e Gjirokastrës, ajo e Libohovës dhe komunat Zagorie, Cepo. Lunxhëri, Antigone, Picar. Po ashtu, ishte i përfshirë edhe një grup i përbashkët për tri komunat e minoritetit grek, Dropulli i Poshtëm, Dropull i Sipër dhe Pogon.

Koordinatori i grupit të punës së Qarkut të Gjirokastrës, Fitim Çaushi, tha se “është befasues interesimi i bartësve të folklorit me këtë pjesëmarrje masive që ne nuk mund ta konceptonim. Kjo është e motivuar me vlerësimin që ka populli për festivalet folklorike, si momente të papërsëritshme që e pasurojnë, promovojnë, fisnikërojnë dhe e lartësojnë si rrallëherë jetën shpirtërore dhe trashëgiminë e shqiptarëve. Vlerat e trashëgimisë folklorike janë kështjella identiteti dhe qëndrese, janë vlera shpirtërore, që s‘dihej nga ç’shekull vijnë, ato rrëzëllejnë si xhevahire të ndritshme, duke u trashëguar brez pas brezi si një blerim i përjetshëm”.

Në vlerësim të respektit dhe konventave ndërkombëtare për trashëgiminë kulturore të minoritetit grek, të parët në skenën e festivalit të rrethit u ngjitën 50 artistë, përfaqësues të grupeve nga tri komunat e banuara nga pakicat greke, të cilët sollën një larmi ngjyrash, tingujsh dhe lëvizjesh me vallet, këngët dhe kostumet e papërsëritshme. Më pas, grupet folklorike të qytetit vazhduan konkurrimin me grupet polifonike, si grupin e mirënjohur të Dunavatit me korifenjtë, marrësin Arjan Shehu dhe hedhësin Axhem Hysometaj. Ata i pasoi grupi tjetër polifonik i vëllezërve Kastriot dhe Roland Çeko, të bijtë e këngëtarit legjendë Demo Çeko dhe grupi polifonik i fëmijëve “Obelisk”.

Me një respekt dhe dashuri për folklorin origjinal, impresionues, ngjizur e zhytur në epoka të ndryshme historike, u ngjitën në skenë grupet polifonike të krahinës së Zagorisë, të cilat sollën motive që lidhen me mënyrat si mendonte, si vepronte, si rezistonte, si jetonte dhe si përparonte zagoriti në shekuj. Interpretues virtuozë, si: Marjeta Vlashi, Anila Pina, Katerina Telo, Sotir Menkshi, Fatmir Belo, kthyes Mihal Puleshi dhe hedhës Dhimitër Vaiti, i dhanë skenës një gjallëri dhe sallës një emocion të rrallë. Në interpretimin e tyre publiku shijoi vejta të njohura dhe hulumtime të reja të folkut zagorit të gjallë dhe vital. Në vijim të konkurrimit në skenë vërshuan grupet e valleve dhe këngëve polifonike labe, si “Labëri, male në qiell”, “Fjala shpat e syri diell!”, “Djepi që përkundi trima” dhe “Zemrat, flak e vetëtima”. Fillimisht grupi folklorik i Komunës Cepo, që në folklorin e vet mbart epikën e Labërisë dhe poetikën shpirtërore të banorëve të maleve, që përherë të panënshtruar, interpretuan dhe krijuan pasuri shpirtërore që u rezistuan shekujve.

Me artin e vet, populli ka përcjellë nëpër breza mesazhin e madh, sikundër e ka theksuar edhe Gavril Dara: “Ashtu siç qëndrojnë flamujt në luftë si simbol i atdheut, me qëllim që rreth tyre të mblidhen ushtarët e shpërndarë, ashtu edhe këngët gjatë kohës janë drita ku ndizen zemrat e trimave, simbol i popullit, flamur i nderit, dhiata e gjyshërve”. Pastaj vjen në skenë grupi i Zhulatit me një këngë 500-vjeçare. Më tej vazhdojnë grupet e Fushëbardhës. Skenën e mbërthejnë më pas grupi i njohur i Mashkullores me këngën epike “Rrapi dridhej, Çeçua qante, dorën mbi nagant e mbante”, ku marrës ishte këngëtari melodioz Kristaq Puci dhe hedhës Axhem Hysometaj.

Interesante për këtë trevë labe janë edhe këngët e vjetra me përmbajtje kristiane si “Ditën e Vangjelizmoit”, që këndoi grupi i Mashkullores. Risi në këtë konkurrim ishte edhe prezantimi i disa valleve të kënduara labe, për të cilat “Artisti i Popullit”, Rexhep Çeliku, i pranishëm në këtë ngjarje, u shpreh se ato sjellin mjaft motive e lëvizje koreografike të pahulumtuara më parë. Një ndër këto prurje të rralla koreografike ishte vallja labërishte, e grupit të kërcimtarëve të Zhulatit “Kërce briri gur më gur”. Grupi i Zhulatit në këtë rast shprehu respekt e nderim për bartësit e mëparshëm të kësaj perle të folklorit, korifenjve të kësaj valleje, Majko Pula dhe Myrte Pula, të cilët e kanë prezantuar tri herë këtë lapidar artistik të Labërisë, në kalanë e festivalit.

Interesante ishte edhe vallja labe e djemve të fshatit “Asim Zeneli” të Komunës Antigone. Në këtë festë të vërtetë folklorike mbizotëruan vlerat më të bukura gëzimi, hareja dhe ngrohtësia njerëzore, ndjenja të cilat di t’i rrezatojë vetëm folklori arti i madh i popullit. Në skenë vjen flladi i lirizmit flladitës të folklorit dhe etnografisë lunxhiote, i njohur prej Lord Bajronit edhe prej autorit të së parës shfaqe teatrale “Dasma Lunxhiote”, të rilindësit tonë, Koto Hoxhi. Më pas grupi polifonik i Komunës së Picarit solli epikën e vet me këngën e lashtë “Çelua me sulltan Mahmunë, ç’u hëngër hunë më hunë”, marrës Shkëlqim Guçe, kthyes Durim Saraçi.

Tregimi i parë në skenë i grupeve folklorike pjesëmarrëse në Festivalin Folklorik Kombëtar Gjirokastër 2015 u ndoq nga ekspertët e Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike, të cilën vazhdojnë të monitorojnë nga afër përgatitjet në të gjitha prefekturat, qarqet, bashkitë dhe qendrat kulturore. Jo vetëm për anët muzikore, interpretative dhe hulumtuese, por edhe për gjendjen e kostumeve popullore dhe elementet e tjera sipas kritereve shkencore të bëra publike. Ata vlerësuan përgatitjet e grupeve të qarkut, rrethit dhe qytetit mikpritës si një ogur i mirë për mbarëvajtjen e Festivalit Folklorik Kombëtar Gjirokastër 2015.

 Festivali

Zgjerimi gjeografik me grupe nga troje etnike

Festivali i radhës pritet të pasqyrojë edhe zgjerimin e shtrirjes gjeografike, me pjesëmarrjen e grupeve nga trojet etnike, nëpërmjet arbëreshëve dhe arvanitasve. Por nuk do të mungojnë grupet folklorike nga diaspora, të cilat do të bëjnë përfaqësimin më të plotë të hapësirave gjeografike, të trashëgimisë kulturore shpirtërore mbarëkombëtare dhe të thesareve të jashtëzakonshme të saj. Për herë të parë do të ketë një bashkëpunim me Ministrinë e Rinisë, Kulturës dhe Sportit të Kosovës në planin artistik dhe financiar. Në fund të festivalit juria, e cila ende nuk është shpallur, do të japë çmime për grupet përfaqësuese në rang qarku, për grupet e zhanreve të ndryshme të folklorit dhe për individë apo bartës (interpretues) të folklorit. Gjithashtu, janë parashikuar çmime për poezinë popullore më të mirë, grupi me veshjet më autentike popullore dhe për diversitetin kulturor.

 

Historia

Edicioni i nëntë i Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës

Festivali i radhës, ky i vitit 2015, është edicioni i nëntë. Festivali Folklorik Kombëtar i parë është zhvilluar në vitin 1968, në kalanë e Gjirokastrës dhe në të morën pjesë të gjitha rrethet e vendit. Edicioni i dytë i festivalit u realizua pas pesë vjetësh, përkatësisht në vitin 1973, për të vijuar më pas në vitet 1978, 1983, 1988, po në kalanë e Gjirokastrës. Në festivalin e vitit 1973, në fazën përfundimtare, morën pjesë 1370 artistë. Në festivalin e vitit 1978, në fazën përzgjedhëse u aktivizuan rreth 53 mijë pjesëmarrës, ndërkohë që vetëm 1560 mbartës interpretuan gjatë ditëve të festivalit. Në vitin 1995, Festivali Folklorik i Gjirokastrës u zhvillua në kalanë e qytetit të Beratit. Në muajin shtator 2000 rikthehet përsëri në qytetin e Gjirokastrës. Ky festival ka qenë i konceptuar në formën e një gare folklorike, ku deri në festivalin e vitit 1988, janë dhënë çmime për grupet më të mira, ndërkohë që në edicionet e fundit të tij, çmimet janë ndarë për bartësit dhe interpretuesit e folklorit. Në vitin 2004, Festivali Folklorik u zhvillua në Gjirokastër nga data 29 shtator deri më 5 tetor. Për herë të fundit është zhvilluar në vitin 2009 në Gjirokastër./Shqip