Gjirokastër, një aeroport për zhvillimin e turizmit

Aeroporti-Kukes_21.05Nga Klodian Muço

Kriza ekonomiko–financiare e nisur në 2007 dhe spektri i recensionit, kanë prodhuar shumë kontraste jo vetëm nga këndvështrimi ekonomik, por edhe nga ai social e kulturor në shumë vende të botës, pa përjashtuar këtu edhe Shqipërinë. Ashtu siç mund të ndodhë shpesh, më të dëmtuarit janë gjithmonë shtresat me të ardhura të ulëta dhe rinia. Por gjithashtu ka edhe një reduktim të vazhdueshëm të fondeve në shumë degë të ekonomisë duke shkurtuar edhe fondet që shkojnë për zhvillimin dhe menaxhimin e ambientit, kulturës e artit duke i konsideruar si “të padukshme dhe jo të dëmshme” këto të fundit, edhe pse janë ndër faktorët primarë të mirëqenies sociale në një komunitet. Mungesa e fondeve është vënë re dhe në ata sektorë që konsiderohen si sektorët primarë të zhvillimit ekonomik dhe social, siç është turizmi në rajonin e Gjirokastrës, por jo vetëm.

Sektori i turizmit ndryshe nga sektorët e tjerë, në periudha krize është një sektor që servir gjithmonë surpriza të këndshme.

Dëshira për t’u larguar nga rutina e përditshme, kurioziteti për të njohur qytete e kultura të reja, të cilat jo vetëm janë të lidhura me hapësirën ku ato gjenden gjeografikisht por edhe me kohën që i përkasin, ofrohen më së miri në një qytet si Gjirokastra e cila “ka ngelur” ashtu siç shkrimtari ynë i madh Kadare e përshkruante në romanin e tij “Kronikë në Gur”.

Shpesh udhëtimi është një metaforë e ndryshimit jo vetëm fizik kur kalojmë nga një qytet në tjetrin, por edhe mental, për të gjetur atë qetësinë shpirtërore, duke u humbur në mori mendimesh e duke harruar problemet e jetës së përditshme. Një qytet që bën të mundur këtë gjë është përsëri Gjirokastra, me pamje të mrekullueshme, e cila shfaqet si një lumë çatish prej guri i mbështetur mbi një shpat mali me një arkitekturë unike.

Gjirokastra është shpallur qytet muze që në vitin 1963 dhe që prej vitit 2005 është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Gjirokastra, gjithashtu është edhe kryeqendra e eventit më të rëndësishëm mbarëkombëtar, të festivalit folklorik, ku pasqyrohen krijimet artistike më të bukura të popullit tonë nga të gjitha trevat, ku secili prej tyre me kostumet, tingujt, ritmet dhe vallet tregojnë atë çfarë kanë trashëguar me fanatizëm brez pas brezi, duke na servirur të kaluarën nëpërmjet artit, i cili për hir të së vërtetës, është ndër më të pasurit në Ballkan.

Shkurt, Gjirokastra është një brand i mirëfilltë multidimensional, promovimi i të cilit do të rriste të ardhurat, punësimin, konsumin e mbi të gjitha do ta transformonte në një qytet ndërkombëtar, i cili do të vizitohej nga dhjetëra mijë turistë çdo muaj; duke përfshirë këtu qëndrimin me më shumë ditë në Gjirokastër, i cili do të përkthehej në më tepër të ardhura për hotelet, restorantet dhe konsum më të lartë të produkteve tradicionale lokale. Për të promovuar këtë brand sigurisht që ka nevojë për më shumë punë dhe për një koordinim ndërmjet institucioneve vendimmarrëse dhe bizneseve lokale, pasi nuk mund të zhvillosh një sektor si turizmi vetëm me reforma.

Nga njëra anë, nevojiten investime për promovimin e brand-it dhe nga ana tjetër, investime në restaurime e mbi të gjitha investime në infrastrukturë; pra, gërshetim i politikave mikse si nga ana e ofertës dhe ajo e kërkesës, të cilat do t’u ofronin turistëve më tepër mundësi për turizëm. Sigurisht që këtu e kam fjalën jo vetëm për turizmin kulturor por edhe për atë natyror (rajoni i Gjirokastrës është shumë i pasur edhe me monumente natyrore si: parqet natyrore të Hotovës, Bënjës, Ujit të Ftohtë, Viroit, Çajupit dhe Sotirës), kulinar e arkeologjik (Gjirokastra ka edhe dy parqe arkeologjikë, Antigonea dhe Hadrianopolis).

Për të parë të gjitha këto, turistëve u duhet ofruar më tepër komoditet për t’i joshur. Për këtë arsye e pashë me shumë entuziazëm dhe interes për “qytetin e gurtë” deklaratën e ministrit të Ekonomisë për ndërtimin e dy aeroporteve të reja në Jug të Shqipërisë, ku njëri me siguri do të ndërtohet në Vlorë për arsye se është edhe qyteti detar më i rëndësishëm në Jugun e vendit, ndërsa tjetri mendoj se do ishte mirë të lokalizohej në Gjirokastër, pasi kjo e fundit është qendër rajonale dhe për më tepër e ka pasur aeroportin e saj dekada më parë. Pra, sot thjesht do të riaktivizohej një realitet infrastrukturor komunikimi i një rëndësie të veçantë për zhvillimin rajonal, i cili ka ekzistuar që nga 11 gushti i 1929 për transportin kombëtar të udhëtarëve. Ky aeroport ekziston edhe sot, por për fat të keq nuk funksionon!

Ashtu sikundër në botën moderne, edhe për Gjirokastrën, aeroporti nuk konsiderohet një luks; një infrastrukturë shtesë që mund të bëhet shumë mirë edhe pa të, por konsiderohet si një element infrastrukturor që shton fluksin e turistëve, të cilët mund të vijnë jo vetëm në Gjirokastër po me siguri edhe në Sarandë në sezonin e verës. Po ashtu një aeroport vetëm 0.8 km larg nga Gjirokastra do të ishte një zgjidhje shumë e mirë edhe për turistët e huaj që duan të shkojnë në Igumenicë apo në Janinë pasi distanca në kohë me makinë nga Gjirokastra në Janinë është vetëm 45 minuta, pra shumë afër. Duke pasur parasysh se aeroporti low-cost i Barcelonës apo ai low-cost i Parisit janë rreth 60 minuta me makinë nga qendra e qytetit, një aeroport në Gjirokastër do të ishte një i tillë për Janinën (përfitime ekonomike për ekonominë gjirokastrite) që është 45 minuta larg apo edhe për Sarandën që është vetëm 50 minuta larg. Mbi të gjitha ky aeroport do të shërbente edhe për fluturimet sportive apo për emergjencat civile.

Kostot për ndërtimin e një aeroporti në Gjirokastër, ndryshe nga ndërtimi i një të tilli në Sarandë, janë shumë më të ulëta për arsye të ekzistencës së një pjese të konsiderueshme të strukturës.

Sipas një studimi të bërë nga Bashkia e Gjirokastrës, kostoja për ndërtimin e këtij aeroporti sipas të gjitha parametrave bashkëkohorë për të bërë udhëtime ndërkombëtare është rreth 5 milionë euro. Një kosto kjo relativisht shumë e ulët nëse e shohim nga këndvështrimi i përfitimeve ku primar është ai vendeve të reja të punës që do të hapeshin në këtë qytet. Nëse kjo ëndërr e gjirokastritëve do të bëhet realitet, do të punësohen rreth 150-200 veta në aeroport dhe rreth 200 të tjerë në bizneset që do të vendosen brenda dhe jashtë tij. Shtuar faktin që Gjirokastra numëron aktualisht rreth 2,000 biznese nga të cilat rreth 600 janë biznese buxhetore, ku pjesa dërrmuese e tyre klasifikohen si biznes i madh dhe kanë marrëdhënie me jashtë, ky aeroport do të ndikonte pozitivisht edhe në shtimin e shkëmbimeve tregtare për këto biznese, por jo vetëm.

Gjirokastra është edhe qyteti i Kadaresë apo i diktatorit Hoxha, të cilët në mënyra të ndryshme e kanë bërë të njohur këtë qytet në çdo vend të botës.

Për të konkluduar, ndërtimi i aeroportit do të bënte të mundur për qindra mijë turistë një udhëtim shumë komod dhe të shpejtë./Shqip