Gjirokastër, pas serbit Luftëtari sjell trajner të ri nga Rumania, bashkë me 4 lojtarë

Mes një serbi, kroati dhe rumuni, duket se presidenti Grigor Tavo i ka besuar këtij të fundit pankinën e Luftëtarit. Burime të sigurta në klubin gjirokastrit, treguan dje për “Panorama Sport”, se është çështje orësh zyrtarizimi i trajnerit të ri. Emri mbahet ende sekret, derisa të firmoset marrëveshja.

Megjithatë, klubi ua ka bërë të qartë edhe futbollistëve, se të hënën do të nisin punën me trajneri e ri, që pritet të vijë nga Rumania. Mësohet se bëhet fjalë për një emër të njohur në futbollin rumun, që ka drejtuar disa ekipe në Superligën vendëse. I gjithë stafi teknik i bluzinjve do të jetë nga Rumania. Mësohet se trajneri do të sjellë me vete edhe katër përforcime, teksa bëhet fjalë për dy mbrojtës, një mesfushor dhe një sulmues.

Megjithatë, emrat e tyre do të bëhen me dije në momentin që trajneri do të zyrtarizohet. Drejtuesit bluzinj kanë treguar se dinë të ndërtojnë një skuadër cilësore, ashtu siç kanë bërë në sezonin e shkuar. Fakti që pjesa më e madhe e grupit është ruajtur, bën që në Gjirokastër të gjithë të jenë optimistë.