Gjirokastër, probleme me hipotekat, shqyrtohen dosjet e para 10 viteve
Prej më shumë se 10 vjet zyra e hipotekës në Gjirokastër thuajse ishte inekzistetnte, kjo pasi shumë kërkesa të qytetarëve arkivoheshin pa iu kthyer asnjë përgjigj.
Por kohët e fundit kjo zyrë ka filluar të trajtojë praktika të prapambetura që nga viti 2005.
Sipas kreut të kësaj zyre, ekzistojnë praktika të cilave askush nuk ju ka dhënë zgjidhje, por janë zvarritur në një proces të pafund.
Për katër muajt e parë të 2017, janë trajtuar mbi 3 mijë dosje.
Problem sipas kreut të kësaj zyre, janë ato dosje që kanë mangësi në dokumentacion dhe që krijojnë ndoshta edhe konfuzion tek aplikuesit të cilët në të shumtën e rasteve, vijnë të papërgatitur.
“Në marrjen e detyrës, gjëja e parë që bëra ishte inventarizimi i praktikave pasi këtu kemi praktika që nga viti 2005 nuk janë trajtuar. Ishin 3000 praktika që ishin të shpërndara, të cilat i kemi sistemuar, i kemi inventarizuar dhe vazhdojmë herë pas herë kur shikojmë që praktikat ditore që na vijnë. Janë të pakta praktika që fusim nga vitet e kaluara për të bërë të mundur që 6 mujorin e këtij viti të mos kemi praktika të vitit të kaluar të patrajtuara, ndërsa problem është mendoj unë pasuritë që janë me dokumentacion të vjetër të cilat duan dhe origjinale”, tha Meleq Karabina.
Një problem jo pak i madh, për kreun e ZRPP është edhe mbivendosja e pronave. Për këtë problematikë zoti Karabina, e justifikon përmes praktikave të vjetra të ndarjes së tokave në fillim të viteve ’90.