Gjirokastër, promovohet triptiku poetik i familjes Çipa

received_m_mid_1411766464545_49ffb3a93432a08e71_2Promovimi i triptikut poetik të familjes Çipa ishte eventi që kishte mbushur sot në mbrëmje sallën e kinoteatrit “Zihni Sako” të Gjirokastrës. Është fjala për mjeshtrin e iso-polifonisë, Lefter Çipa, për gazetarin e mirënjohur, Aleksandër Çipa dhe djalin e këtij të fundit, Akri Çipa. Përkatësisht gjyshi, djali dhe nipi i sjellin lexuesit tre botime të ndryshme, por të shkruajtura me të njëjtën mprehtësi dhe forcë shprehëse.

Nën prezantimin e aktorit Bujar Asqeriu dhe interpretimet muzikore të Grupit Polifonik të Bregdetit, publiku u njoh me botimet e Lefter Çipës, “Këngët e Atdheut tim”, dhe “Vij nga drita”, me botimin e Aleksandrit, “Mbi re s’ka sracione” dhe botimin e Akrit, “Në modernitet humbëm”. Mes duartrokitjeve të shpeshta të publikut, mjeshtri Lefter Çipa vlerësoi iso-polifoninë si një vlerë të paçmueshme të kombit tonë. Mes emocionesh falenderoi edhe qytetarët e Gjirokastrës për bujarinë dhe respektin që i kanë treguar në vite. Sipas botuesit të këtij triptiku, Gëzim Tafa, është një rast i veçantë që talenti shkoi nga gjyshi te djali e mandej te nipi. Sipas tij, në rastin e Çipajve poet lind e nuk bëhesh.

Aleksandër Çipa tregoi gjatë fjalës së tij rrugëtimin e këtij triptiku poetik deri në ditën e botimit. Pak më pak foli për librin e tij, duke u ndalur më shumë te vëllimi poetik i të atit, Lefterit dhe i të birit, Akrit. Ky i fundit, në pamundësi për të qenë në Gjirokastër përcolli falenderimet dhe përshëndetjet përmes një letre që e lexoi vëllai i tij. Si rrallë ndonjëherë, në sallën e kinoteatrit ishin krahë për krahë edhe ata që zakonisht i kemi parë të shigjetojnë njëri-tjetrin në publik, deputetët Vangjel Tavo, Genc Ruli, Anastas Angjeli si dhe kryebashkiaku Flamur Bime. Po kështu merrte pjesë edhe ambasadori i OSSBE-së në Shqipëri.

Botimi i triptikut poetik të Çipajve ishte një projekt i mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe shoqata “Publike”. Në emër të kësaj të fundit në ceremoni mbajti një fjalë përshëndetëse drejtoresha Ornela Çuçi. Më pas eventi u zhvendos në një darkë festive në zonën muzeale të qytetit./A.B