Gjirokastër, PS në kërkim të drejtorave të rinj, ja si do të bëhen lëvizjet në administratë

Pas formimit të kabinetit të ri qeveritar, pritet që gjatë muajve të ardhshëm të nisin lëvizjet edhe në administratën publike.

Njësoj si në të gjithë Shqipërinë edhe në qarkun Gjirokastër, të parët që do të largohen nga puna janë drejtuesit e institucioneve të ndryshme. Më të pambrojtur janë drejtuesit e vendosur nga LSI-ja gjatë qeverisjes së kaluar me PS-në.

Njëri pas tjetrit, pritet që ata të dorëhiqen ose në të kundërt do të shkarkohen. Ndërkohë lidhur me emrat e drejtorëve të rinj nëpër institucione, socialistët janë në kërkim të fytyrave të reja. Në institucionet kryesore (Hipoteka, Tatimet, Spitali, OSHEE, AKU, Transporti Rrugor etj) pritet të emërohen njerëz të rinj, që jo domosdoshmërisht vijnë nga radhët e aktivistëve të Partisë Socialiste.

Të paktën këto janë sinjalet e para në prag të lëvizjeve në administratë. Nga ana tjetër mësohet se do të ketë edhe një rrokadë mes drejtuesve aktualë. Shumë prej tyre nuk do të jenë më në postet që kanë mbajtur deri më tani, por do të transferohen në detyra të tjera.

Sa i përket Drejtorit të Hipotekës apo Spitalit Rajonal “Omer Nishani”, kryeministri Rama ka thënë se do të bëhet përzgjedhje me konkurs publik. Megjithatë mbetet për t’u parë se cfarë do të ndodhë. Nga ana tjetër, shumë drejtues humbasin automatikisht postet për shkak të shkrirjes së disa institucioneve në kuadër të reformës në administratë, reformë që Rama e ka njoftuar gjatë fushatës elektorale.

/ArgjiroLajm.net/