Gjirokastër, qendra e trajtimit të autikëve mbi kapacitete. Kërkon ndihmë nga qeveria (VIDEO)
Qendra e Trajtimit të Fëmijëve me Autizëm në Gjirokastër kërkon mbështetje pasi është duke punuar mbi kapacitetin.
“Që vjet kemi patur tendencë në rritje dhe kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Mirëqënies Sociale për të parë mundësinë e rritjes së stafit”, deklaron Lindita Luzo, drejtoreshë e qendrës.
Prej 5 vitesh qendra ndihmon fëmijët për shkollë. Ata kanë probleme në sjellje që kanë të bëjnë me njohjen dhe hiperaktivitetin, mungesën e përqëndrimit dhe perceptimit. Mentor Miho, nga fshati Taronin, 25 km larg Gjirokastrës, e dërgon të bijën 2 herë në javë në këtë qendër.
“Ka ardhur këtu kur ka qenë 6 vjeçe. Po të kishte ardhur më parë ajo do të ishte më e përparuar. U bëj thirrje prindërve që kush ka fëmijë të tillë një orë e më parë t’i sjellin në këtë qendër”, shprehet Miho.
Megjithatë, mospranimi i sëmundjes nga disa prindër bën që qindra fëmijë të identifikuar si autikë të mos marrin asnjë trajtim.
“I bëjmë thirrje çdo prindi që nëse e shohin këtë fenomen tek fëmijët e tyre dhe nuk kanë informacion, ose nuk e kanë pranuar që është një problematikë e vogël, ta sjellin fëmijën këtu”, sugjeron psikologia Mirsina Veneti.
Të paktën 48 fëmijë të moshës 3-14 vjec trajtohen ne qendrën ditore në Gjirokastër ku punojne 11 specialistë, mes të cilëve logoterapistë dhe ergoterapistë.