Gjirokastër, rektori i ri premton hapjen Fakultetit Ekonomik. Ish-rektori bëhet sërish dekan

 Gjirokastër, rektori i ri premton hapjen Fakultetit Ekonomik. Ish-rektori bëhet sërish dekan

Bektash MemaPak ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve në Universitete, Rektorët fitues shpalosin platformat e tyre.

Në Gjirokastër, Prof. Bektash Mema i cili u zgjodh Rektor me 75.57% të votave, thotë se puna e tij në katër vitet e ardhshme do të përqëndrohet  tek studentët dhe ringritja e institucionit të arsimit të lartë.

“Vëmendja parësore do të fokusohet tek çështja e statusit të Universitetit. Sipas ligjit, Universiteti duhet të ketë tre Fakultete, aktualisht kemi dy të tilla. Por kemi lobuar me Ministrinë e Arsimit dhe Qeverinë që së shpejti do të hapet dhe një Fakultet i tretë, ai Ekonomik. Problem tjetër emergjent duhet të jetë çështja e cilësisë”, shprehet Mema.

Megjithatë çelja e Fakultetit Ekonomik në Gjirokastër, është thënë e stërthënë shpesh herë, madje edhe ish-rektori Gëzim Sala e pati premtuar kur u zgjodh në postin e rektorit. Por deri më tani nuk është bërë asgjë, ndërkohë numri i studentëve në këtë degë dhe gjithë universitetin në përgjithësi ka ardhur gjithnjë e në ulje.

Sot ky universitet është drejt degradimit, ndërsa drejtuesit e tij thjesht këmbejnë vendet apo pozicionet drejtuese me njëri-tjetrin. Mjafton të shikosh se edhe në zgjedhjet e fundit, ish-rektori Gëzim Sala, u rikthye sërish dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Edukimit, pozicion që e ka pasur përpara se të bëhej rektor.

Zgjedhjet për strukturat drejtuese ka pak gjasa të prodhojnë politika drejtuese të atilla që ta bëjnë këtë universitet të dobishëm për rajonin e jugut dhe promotorë të ndryshimeve në sektorë të ndryshëm.

Libohova Online