Gjirokastër, rrëzohet banesa monument, banorët: Rrezikohemi (Video)
Shtëpitë muzeale kthehen në rrezik për banorët e Gjirokastrës gjatë ditëve me shira të rrëmbyeshëm, pasi ato janë rrezik shembjeje në çdo moment. Si shkak i braktisjes dhe degradimit, disa godina të gurta dhe komplekse muzeale në pjesën e sipërme të qytetit rrezikojnë shembjen duke kërcënuar edhe jetën e banorëve shtëpitë e të cilëve ndodhen afër këtyre godinave. Shtëpia e braktisur e Kales, në lagjen “Pllakë”, në këto ditë është kthyer në rrezik për jetën e banorëve.
Si shkak i braktisjes prej vitesh dhe degradimit, kjo banesë e gurtë trikatëshe, me moshe rreth 150-vjeçare i ka humbur vlerat arkitektonike por ndërkohë gjendja e saj kërcënon edhe jetën e banorëve të tjerë të kësaj lagje. Të frikësuar komshinjtë e shtëpisë thonë se në ditët me shira të rrëmbyeshëm, nga çatia dhe muret rrëzohen trarë të vjetër dhe gurë duke kërcënuar jetën e tyre. Sipas përfaqësuesve të institucioneve të Kulturës Kombëtare në Gjirokastër në bashkëpunim me pronarët e shtëpisë, po shikohet mundësia e zbatimit të një projekti për mirëmbajtjen dhe restaurimin e saj./shqiptarja.com