Gjirokastër, tre persona të tjerë të infektuar me plasje

Raste të reja të sëmundjes së plasjes në Gjirokastër. Konfirmimi vjen nga drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në Qarkun e Gjirokastrës Kostaq Rapi.

Drejtori i Bujqësisë shprehet per Report Tv se infektimi i kullotave nga bacilli i plasjes, po shkakton dëme tek kafshët e imta në rrethin e Gjirokastrës.

Vatrat e reja nga sëmundja e antraksit, janë shënuar dje në fshatrat Plesat, Cepunë, në kullotën e majës së Çajupit si dhe në Golëm. Specialistët e Drejtorisë së Bujqësisë në Gjirokastër, kanë izoluan këto vatra të cilat janë edhe furnizueset kryesore me mish të popullatës së Gjirokastrës e më gjerë.

Sipas Kostaq Rapit, këto raste janë nënshtruar masave të karantinës ndërkohë që Shërbimi Veterinar ka dërguar vaksina si mjete të vetme profilaktike për të shpëtuar nga kjo sëmundje e transmetueshme tek njerëzit.

Krahas vaksinimit, është operuar edhe me groposjen e kafshëve të infektuara apo dhe me djegien e tyre në rastet kur nuk shkojnë dot mjetet e groposjes së tyre.

Për drejtorin e Bujqësisë së Gjirokastrës, fermerët duhet të jenë të parët që të kërkojnë asistencën pranë Drejtorisë së Bujqësisë për cdo kafshë të ngordhur dhe asnjëri prej tyre nuk u lejohet prekja e kafshëve të infektuara.