Gjirokastër, vende të lira pune te ALUIZNI. Ja kriteret dhe mënyra si të aplikoni

Ashtu siç ishte njoftuar edhe më parë nga kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, tashmë të interesuarit për punë në drejtoritë e legalizimeve do t’i nënshtrohen konkursit, bazuar në ligj dhe udhëzimet përkatëse. Konkretisht, sot Drejtoria e Përgjithshme e Legalizimeve ka shpallur kriteret, vendet vakante dhe procedurën që ndiqet për vlerësimin e konkurrentëve.

 “Në mbështetje të ligjit nr. 7961, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar VKM Nr.289, datë 17.5.2006 “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të zonave/ndërtimeve informale (ALUIZNI), pika 7, shpallet konkurrimi për pozicione vakante  në Drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t: Tiranë, Durrës, Berat, Dibër, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Kavajë, Korçë, Krujë, Kukës, Lezhë, Lushnje, Sarandë, Shkodër, Vlorë”.

Sipas institucionit, vendet vakante janë hapur për  përgjegjës Sektori: Kategoria: IV-a, Niveli minimal i diplomës “Master Shkencor”;

-Specialist, kategoria: IV-b, Niveli minimal i diplomës “Bachelor”;

KUSHTET DHE KRITERET E KONKURIMIT

Kushtet që duhet të plotësojë kandidatët:

Kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e përgjithshme, të përcaktuara në legjislacionin e shërbimit civil sipas ligjit 152/2013 “Për nëpunësin civil” i ndryshuar

Kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e posaçme, si vijon:

– Të zotërojnë diplomë të Arsimit të Lartë, nivelit minimal “Bachelor” në profilet Inxhinieri Ndërtimi, Arkitekturë, Urbanistikë, Gjeoinformatikë, Gjeodezi, Topografi).

– Për pozicionet Përgjegjës Sektori, kandidatët duhet të zotërojnë diplomë të nivelit minimal “Master Shkencor” në profilet e mësipërme, si edhe Juridik. Edhe diploma e nivelit “Bachelor” duhet të jetë në të njëjtën fushë.

– Për pozicionet “Specialist” kandidatët duhet të kenë të paktën 2 vite përvojë pune në profesion.

Për pozicionet “Përgjegjës Sektori” kandidatët duhet të kenë të paktën 3 vite punë në profesion.

– Të mos jetë marrë ndaj tij masa disiplinore gjatë vitit të fundit.

– Preferohet të kenë trajnime apo kualifikime në fushën përkatëse.

– Të kenë njohuri të gjuhës angleze, ose të një gjuhe tjetër të BE-së.

DOKUMENTACIONI, MËNYRA DHE AFATI I DORËZIMIT

Kandidatët duhet të dorëzojnë dokumentet, si më poshtë:

  1. a) Letër interesi për pozicionin për të cilin është i interesuar kandidati.
  2. b) Jetëshkrim (CV).
  3. c) Fotokopje të diplomës dhe listës së notave (përfshirë edhe diplomën Bachelor kur kërkohet Diploma Master Shkencor). Për diplomat e marra jashtë Republikës së Shqipërisë të përcillet njehsimi nga Ministria e Arsimit;
  4. d) Fotokopje të librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
  5. e) Fotokopje të letërnjoftimit (ID);
  6. f) Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
  7. g) Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore/ Formular i vetëdeklarimit të gjendjes gjyqësore;
  8. h) Të paktën dy referenca të punëdhënësit të mëparshëm
  9. i) Adresën e saktë te vendbanimit, e-mail dhe kontakt telefonik.
  10. j) Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin tuaj;

Aplikimi dhe dorëzimi i të gjitha dokumenteve të cituara më sipër, do të bëhet, nëpërmjet postës zyrtare, apo dorazi në Zyrën e Protokollit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të ALUIZNI-t ose në adresën elektronike të ALUIZNI-t info@aluizni.gov.al

Dorëzimi i dokumenteve duhet të bëhet brenda datës: 02.10.2017.

FUSHAT E NJOHURIVE PER TESTIMIN ME SHKRIM

Kandidatët do të testohen me shkrim rreth njohurive mbi legjislacionin e mëposhtëm:

– Ligji nr.9482, datë 16.2.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar.

– Ligji nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”

– Ligji nr. 7961, datë 12.07.1995 “Kodi i punës i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar (Dispozitat mbi pronësinë).

– Ligji nr. 7850 datë 29.07.1994 “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

– Ligji nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar.

– Ligji nr. 33/2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, i ndryshuar.

– Ligji nr.9131, datë 8.9.2003 “Për rregullat e etikës më administratën publike”, i ndryshuar.

SHPALLJA E REZULTATEVE PËR FAZËN E VERIFIKIMIT PARAPRAK TË KANDIDATURAVE

Në datën 09/10/2017, kandidatët do të njoftohen nëpërmjet postës elektronike, për informacione në lidhje me plotësimin e kritereve, fazat e testimit, datën dhe vendin ku do të zhvillohet konkurrimi.

 Vlerësimi i kandidatëve

Kandidatët që plotësojnë kushtet dhe kriteret e veçanta do ti nënshtrohen procedurave të mëtejshme të vlerësimit, nga një komision i posaçëm i ngritur për këtë qëllim, në lidhje me:

a- Vlerësimin me shkrim, deri në 30 pikë;

b- Intervistën e strukturuar me gojë, deri në 40 pikë

Gjatë intervistës do të vlerësohen në lidhje me: Njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me pozicionet për të cilat aplikojnë; Eksperiencën e tyre të mëparshme si dhe motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për karrierën).

c- Jetëshkrimin, që konsiston në vlerësimin e arsimimit, të përvojës e të trajnimeve, të lidhura me fushën, deri në 30 pikë.

 Shpallja e rezultateve të konkurrimit

Të gjithë kandidatët pjesëmarrës në këtë procedurë, do të njoftohen individualisht në mënyrë elektronike për rezultatet (nëpërmjet adresës së e-mail të paraqitur ne dokumentacionin e aplikimit).