Gjirokastër, vihet në skenë komedia “Zi e më zi” (VIDEO)

teatri zihni sako zi e me ziPremiera e komedisë “Zi e më Zi”, vepër e autorit Kristo Floqi, është vënë në skenë një ditë më parë, në skenën e teatrit “Zihni Sako”, në Gjirokastër.

Komedia e zezë me regji të Klement Konomit, erdhi në skenë përmes lojës së aktorëve Kudret Alikaj, Liljana Ristani, Selijana Kapllani dhe Aleksandër Duri të cilët personifikuan, personazhet e veprës së patriotit shqiptar.

Një vepër shqiptare, që mendohet se është shkruar nga autori në vitin 1920, ka ardhur fundjavën që shkoi para publikut gjirokastrit nën një skenografi brenda një shtëpie karakteristike gjirokastrite dhe përshtatur me një familje vendase.

Ndërkaq që dilemat e vejushës Gal që interpretohet nga aktorja me eksperiencë Liljana Ristani të trajtuara me mjeshtri nga regjisori Klement Konomi, si prezantimi më i ri artistik në teatër, ka bërë që publiku t’i vlerësojë të gjithë ata që punuan për realizimin e veprës teatrore përmes duartrokitjeve.

Kontrasti mes dukjes dhe thelbit, provokon humorin, ndërkohë që edhe loja e trupës profesioniste të Teatrit “Zihni Sako”, meritoi vlerësime nga spektatorët.

Komedia është sjellë në shtratin zakonor të krahinës së Zagories në Gjirokastër nga ana e regjisorit Konomi nga është edhe ai vetë.

Sipas këtij të fundit, kjo është një pjesë shqiptare dhe duhet që në teatër, veprat e autorëve vendas të kenë vëmendjen e duhur. Zoti Konomi, ka kërkuar nga qeveria vendore dhe qendrore, mbështetje pasi kjo ka munguar për hir të së vërtetës pohon ai.

Ajo çka ra në sy të artdashësve gjirokastritë, ka qenë loja aktoriale e aktores jo profesioniste Seliana Kapllani. Interpretimi i saj, ka qenë i treti në skenën e Teatrit të Gjirokastrës dhe më së shumti, ka treguar besueshmëri dhe karakter në rolet e interpretuara.

Për aktoren nga Vlora, Gjirokastrës i mungojnë elementët artistikë sidomos në Teatrin Profesionist dhe për këtë ajo ka kërkuar vëmendje.

Me këtë komedi, trupa profesioniste e Teatrit të Gjirokastrës, do të konkurrojë në Festivalin e Komedive që do të mbahet pas dy ditëve në qytetin e Korçës dhe ku ambiciet për t’u vlerësuar, nuk fshihen./report tv