Gjirokastër, zbulohet ‘manovra’ e drejtorave të LSI-së që refuzojnë të dorëzojnë postet
Ndonëse po bëhet gati një muaj nga formimi i qeverisë së re ‘Rama 2’, lëvizjet në administratën publike po hasin në vështirësi. Është fjala për pozicionet në nivel drejtuesish të institucioneve të ndryshme, ku ishin emëruar njerëzit e LSI-së.
Kjo rezistencë po vihet re edhe në Gjirokastër. Shumë prej drejtorave të emëruar nga LSI-ja vazhdojnë të mbajnë postet e tyre, edhe pse u është kërkuar të dorëhiqen.
Ata mbrohen me pretendimin se postet që mbajnë nuk janë politike, prandaj bëjnë rezistencë me shpresën se do të shkarkohen. Kjo do t’i çonte më pas në dyert e gjykatës për të kërkuar dëmshpërblim disa paga.
Duket se këtij ‘kërcënimi’ u druhen edhe socialistët, pasi një seri gjyqesh të fituara prej drejtorave të LSI-së do të thotë kosto e madhe për buxhetin e shtetit. Kjo është arsyeja që po vonohet me emërimin e drejtorave të rinj.
Plani B i socialistëve është t’i shkarkojnë njerëzit e LSI-së në kuadër të reformës në administratë, duke i kamufluar kështu vendimet e tyre me ristrukturim të institucioneve apo shkrirje të tyre, shkruan ArgjiroLajm.net
Por cilat janë institucionet që sot mbahen ende nga njerëzit e LSI-së në Gjirokastër?
Drejtoria Rajonale e Institutit të Sigurimeve Shoqërore- Spiro Diamanti
Drejtoria Rajonale e Bujqësisë- Koçi Rapi
Drejtoria e Arkivës Gjirokastër- Eri Ndreu
Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve- Filip Vito
Bordi i Kullimit- Kristaq Xha
Ndërmarrja e Trajtimit të Studentëve- Nikolla Buka
Drejtoria Rajonale e Tatimeve- Ahmet Çabej