Gjirokastër,gruaja që vrau burrin me thikë: Ishte i padisiplinuar, kthehej vonë në shtëpi

fdgfdgfgfKrimi në familje godet sërish. Viktimë e dhunës kësaj radhe ka mbetur një 66-vjeçar, i cili u qëllua për vdekje me thikë nga bashkëshortja e tij. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së shtunës, në lagjen “18 Shtatori” në Gjirokastër. Burime nga policia lokale deklaruan se në pranga është vënë Dituri Meni, e cila dyshohet se ka vrarë burrin e saj, Flamur Meni.

Mësohet se Meni është qëlluar një herë me thikë, goditje e cila i ka prekur zemrën. Të njëjtat burime thanë se i plagosuri u transportua me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Gjirokastrës, por fatkeqësisht humbi jetën rrugës. Grupi hetimor i çështjes bëri të ditur se shkak i krimit dyshohet të jetë bërë një sherr banal mes çiftit. Në fillim, familjarët e viktimës deklaruan se 66-vjeçari ishte vetëvrarë, por kjo hipotezë u hodh poshtë nga forcat e Rendit. Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje, Dituri Meni deklaroi para efektivëve të policisë, se ka qenë pikërisht ajo që ka goditur burrin me thikë në kraharor pas disa debateve që kishin pasur. Sipas saj, shkak i debatit ka qenë mosdisiplinimi i burrit në raport me familjen. Viktima ishte kthyer nga Greqia para pak kohësh dhe sipas 62-vjeçares ai nuk ishte i rregullt kundrejt familjes, duke u kthyer vonë në shtëpi. Sakaq, policia është duke zhvilluar edhe hetimet dhe ekspertizën përkatëse, për të verifikuar nëse ka qenë Dituri Meni ajo që ka kryer krimin apo ndonjë person i tretë.

Ndërkohë, nga Tirana është nisur edhe një grup ekspertësh, të cilët do të bëjnë edhe ekzaminimin e trupit të viktimës. Çifti Meni jetonte bashkë me djalin e tyre, i cili nga hetimet paraprake rezulton se nuk ka qenë në banesë në momentin kur dy prindërit e tij kanë debatuar. Dituri Meni akuzohet për veprën penale “Vrasje në familje”. Ndërkohë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes që çuan 62-vjeçaren drejt aktit ekstrem./BW