Gjirokastra çel sezonin turistik
Qyteti i Gjirokastrës çeli sot sezonin turistik veror, ku e pranishme ishte edhe zv/ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Adela Karapici. Një nga elementët e rëndësishëm të promovimit të turizmit cilësohen punimet artizanale dhe gastronomia, ku këtë fillim sezoni është shoqëruar me panairin e trashëgimisë kulturore. Zv.ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Adela Karapici mori pjesë në aktivitetet e organizuara në çeljen e sezonit turistik të qytetit të Gjirokastrës. Ceremonia e hapjes së sezonit nisi në pazarin karakteristik të Gjirokastrës (Qafa e Pazarit). Edhe pse qyteti i gurtë është i vizitueshëm gjatë gjithë vitit, me hyrjen e muajit prill numri i turistëve vendas e të huaj është shtuar.
Në ditën e çeljes së sezonit turistik, janë parashikuar të zhvillohen një sërë aktivitetesh të tjera nga bashkia e Gjirokastrës, në funksion të promovimit të turizmit të zonës.
Një ndër këto aktivitete do të jetë dhe tryeza e diskutimit: “Trashëgimia e turizmi, motor i zhvillimit ekonomik” , ndërsa Agjencia Kombëtare e Turizmit do të jetë e pranishme me anë të një stende ku do të shpërndahen informacione promovuese turistike.
Gatime karakteristike dhe suvenire të ndryshme janë ekspozuar në stendat e ngritura, të cilat ndiqen me mjaft interes nga turistët që kanë qenë në këtë destinacion. Aktivitete të tilla cilësohen një shtysë dhe nxitje për turizmin prej artizanëve. Kryetarja e Bashkisë, pohon se promovimi i qytetit është me rëndësi për shtimin e turistëve./Ata