Gjirokastra do të bëhet me kinema, projekti financohet nga BE përmes Qendrës Kombëtare të Kinematografisë

Projekt pilot i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë për ringritjen e kinemave në Gjirokastër dhe Vlorë vjen falë projektit CIRCE, mbështetur nga Programi IPA i Bashkimit Europian me 4 partnerë mesdhetarë.

Në Shqipëri projekti drejtohet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë që prej disa vitesh ka punuar në hartimin e këtij projekti i cili ka si qëllim pajisjen me aparatura të reja dixhitale projeksioni dhe sistemin audio, sallat ekzistuese në qytetet kryesore të vendit.

Gjatë këtyre 3 viteve të fundit Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka mbështetur vazhdimisht festivalet e filmit në qytetin e Shkodrës, Pogradecit, Sarandës dhe Gjirokastrës me qëllim për të krijuar sensibilizimin e duhur të pushtetit dhe audiencës lokale ndaj hapjes së kinemave që ekzistojnë aktualisht në këto qytete.

Si fillim do të kemi dy kinema, një në Gjirokastër dhe një në Vlorë dhe më pas edhe ne qytetet e tjera që do ti bashkohen kësaj nisme të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.

Pajisja me mjete të reja dixhitale do të jetë hapi i parë ndërsa krijimi i një programi të pasur me filma shqiptarë do t’i japin mundësinë publikut të këtyre qyteteve të njihen me realizimet më të mira shqiptare të viteve të fundit.

Qendra Kombëtare e Kinematografisë festoi vjet 20-vjetorin e saj të krijimit. Gjatë këtyre viteve QKK ka financuar rreth 300 filma të gjatë, të shkurtër, dokumentarë dhe të animuar. Vetëm gjatë 4 viteve të fundit janë financuar mbi 100 filma pra rreth 1/3 e filmave të krijuar që nga krijmi i këtij institucioni.

Vitin e kaluar, 25 filma të rinj shqiptarë u prezantuan përpara publikut të kryeqytetit.