Gjirokastra në shpat mali, tundet nga festivali

Festivali-ne-Gjirokaster-3Në natën e parë, në skenën e festivalit u ngjitën tri grupe konkurruese, nga Shkodra, Gjirokastra dhe Kosova. Nga grupet e ftuara në natën e parë, performoi “Eda Zari & Band”

Engjëll Serjani

“Mirë se vini në Gjirokastrën e Festivalit, të legjendave, të personazheve historike e mitike, të skenave natyrale, të letrave të shquara shqipe, të artit të gurit dhe të drurit, të mjegullave të krisura nga kalatë e të diellit që vezullon shkëmbin, por sidomos të njerëzve me një shpirt të kthyer në monument kulture”, këto ishin fjalët e mirëseardhjes të zonjës Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës, në çelje të Festivalit Folklorik Kombëtar 2-15 në zemër të qytetit, që për 7 ditë e 7 net rilind dhe ripërtërinë vlerat më të çmuara të trashëgimisë shqiptare.

Profili multikulturor, risia e festivalit

Organizatorët e edicionit të 10 të Festivalit Folklorik Kombëtar, Ministria e Kulturës, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike dhe Bashkia e Gjirokastrës kanë hartuar një program me karakter multikulturor, i cili synon që krahas shpalosjes së vlerave më të spikatura të shpirtit krijues të popullit shqiptar, vlera autentike e folklorit të pasur, larmisë së kostumeve popullore që do të përcillen nëpërmjet grupeve përfaqësuese nga 12 qarqet e Shqipërisë, tri grupe nga Kosova, dy grupe nga Maqedonia dhe një nga Mali i Zi, qendra e qytetit do të gjallojë nga dhjetëra grupe të tjera muzikore, ekspozita, veprimtari nga më të larmishmet. Për organizatorët, konsiderohet risi e këtij festivali fakti që gjatë shtatë ditëve të tij, përveç koncerteve konkurruese dhe atyre të grupeve të ftuara dhe përshëndetëse, programi multikulturor përfshin një zinxhir veprimtarish të tjera. Konkretisht janë parashikuar tetë ekspozita arti: si novela grafike, ekspozita me fotografi nga fototeka kombëtare “Marubi”, ekspozita “Piktura gjirokastrite”, ekspozita “Edith Durham”, ekspozita për UESCO-n nga ambasada turke, ekspozita “Arti i Felturës”, ekspozitë multimediale nga Alban Nimani, workshop mbi përpunimin e muzikës folklorike nga Gabriele Panico dhe Lele Roveri. Për herë të parë janë programuar dhe do të organizohen koncerte nga grupe shqiptare dhe të huaja, si: këngëtarja Eda Zari dhe grupi, grupi muzikor holandez “Omnia”, një grup popullor nga Janina, Greqi, grupi popullor “Palava” Çeki, “Fanfara Tirana”, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, ansambli “Shota” Kosovë, koncert i instrumentisti Olen Çezari dhe grupit të tij shoqërues, këngëtarja Rona Nishliu dhe grupi, grupi i Qendrës Kombëtare Kulturore të Fëmijëve, Tiranë, Trupa e Cirkut Kombëtar, Orkestra Frymore e Ushtrisë dhe grupi “Arketip” Tiranë. Duke e vlerësuar eventin si një mundësi për të nxitur e promovuar turizmin në zonën historike të qytetit, u çel dje edhe Panairi i Produkteve Shqiptare, organizuar nga Ministria e Ekonomisë.

Festivali ka nisur kohë më parë

Padyshim që kemi të bëjmë më një veprimtari të madhe që ka nisur qysh kur ka mbyllur siparin e vet edicioni i mëparshëm, pasi ky festival nuk pasuron vetëm jetën e këtij qyteti, por të mbarë Shqipërisë, sepse nuk është konceptuar dhe vlerësuar thjesht si një event i mbyllur, me karakter të përkohshëm dhe propagandistik, thotë eksperti i trashëgimisë shpirtërore në Ministrinë e Kulturës, Arjan Avrazi. Sipas tij, folklori dhe krijimtaria popullore nuk mund të mendohen se nisin kur shpalosen në skenën e Gjirokastrës, por si fenomene dinamike dhe në lëvizje, përherë të gjalla, të hapura, gjithnjë në funksion të transmetimit nga brezi në brez, në funksion të ruajtjes së traditës, të jetës aktive dhe zhvillimit të turizmit kulturor. Në finale të festivalit, në skenën e madhe të Gjirokastrës, grupet konkurruese kanë të drejtën e një koncerti që nuk mund të zgjatë më shumë se 30 minuta. “Përgatitjet për Festivalin Folklorik Kombëtar Gjirokastër 2015, nisën menjëherë pas daljes së urdhrit të ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi, në shtator 2014. Organizimi i kësaj veprimtarie, që konsiderohet si më e madhja veprimtari kulturore për trashëgiminë jomateriale në Shqipëri, ka kaluar në disa faza”, thotë Avrazi. Gjatë fazës së parë të parapërgatitjeve në periudhën janar-shkurt 2015, vëmendja u përqendrua në prezantimin me koncerte masive të prurjeve më të mira folklorike, pastaj u kalua në përzgjedhjen e grupeve më të mira të qendrave kulturore pranë bashkive dhe komunave, të grupeve të shoqatave folklorike dhe të individëve të interesuar. Në këto koncerte morën pjesë dhe interpretuan rreth 7 230 bartës së folklorit, ndër të cilët rreth 1 600 fëmijë e të rinj. Komisionet e ngritura pranë qarqeve përzgjodhën nga këto koncerte numrat më të mira për koncertin e parë në rang qarku, ndërkohë që selektimi dhe përgatitjet vazhduan edhe më tej.

Festivali Folklorik Kombëtar, në shifra

Faza e dytë e përgatitjeve u shtri në periudhën shkurt – mars 2015, gjatë së cilës komisioni përzgjedhës në bashkëpunim me grupet e punës pranë qarqeve ndoqën nga afër dhe përzgjodhën numrat më të mirë të çdo qarku, me të cilat do të formohej grupi që do të përfaqësohej në skenën e madhe të FFKGJ 2015. Në këto koncerte morën pjesë 1 756 bartës të folklorit, nga të cilët rreth 530 fëmijë e të rinj dhe rreth 400 gra e vajza.

Të gjitha grupet pjesëmarrëse i kishin vlerësuar shumë këto koncerte, duke paraqitur numrat më përfaqësues të zonave që përfaqësonin folklorin e çdo komune dhe bashkie në juridiksionin e qarkut. Gjithashtu, nga grupet e punës dhe specialistët e çdo qarku ishte bërë një punë shumë e mirë në drejtim të përzgjedhjes së repertorit më të mirë nga koncertet që ishin zhvilluar në të gjitha komunat dhe bashkitë e vendit. Drejtorja e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike, Meri Kumbe, thotë se në të gjitha këto koncerte me numra të zgjedhura u interpretuan këngë, valle, melodi e rite të ndryshme, u paraqitën shumë kostume popullore, të vjetra, origjinale dhe të larmishme, që përbëjnë vlera të paçmuara të trashëgimisë jomateriale kombëtare.

Në disa rrethe dhe qarqe, përgatitjet morën pamjen e festivaleve të vërteta folklorike lokale, koncertet e të cilave shpeshherë kanë kaluar 6 deri në 8 orë pa ndërprerë. Në këto koncerte folklorike u përfshinë edhe vlerat e trashëgimisë kulturore jomateriale të minoriteteve dhe pakicave gjuhësore, të cilat zhvillojnë veprimtarinë e tyre brenda territorit të qarkut, si grupet folklorike të minoriteti grek në Qarkun e Gjirokastrës, komuniteti i vllehve në Qarkun e Tiranës dhe të Durrësit, komuniteti maqedonas në Qarkun e Korçës, komuniteti sllavo-malazez në Qarkun e Shkodrës, komuniteti egjiptian dhe rom në të gjithë vendin etj.

Parashikohet që në skenën e madhe të FFKGJ 2015 të interpretojnë rreth 1 000 anëtarë të grupeve konkurruese nga Shqipëria, 150 artistë popullorë nga Kosova, 100 artistë nga shqiptarët e Maqedonisë dhe 50 artistë popullorë nga shqiptarët e Malit të Zi. Në total 1 300 artistë konkurrues. Ndërkohë që grupe të ftuara dhe përshëndetëse kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe interpretim. Sipas të dhënave, ka grupe të ftuara nga komuniteti i arbëreshëve të Italisë, grupe folklorike dhe shoqëri kulturore nga diaspora shqiptare e SHBA-së, Zvicrës e Turqisë, që në total arrijnë rreth 80 të tilla.

Konsiderohet risi e këtij festivali fakti që numri i artistëve pjesëmarrës në grupet konkurruese në FFKGJ 2015 nuk është i përcaktuar fiks, por një bërthamë prej 50 artistësh do të trajtohen nga Ministria e Kulturës, ndërkohë që çdo grup mund të sjellë edhe më shumë artistë. Sipas konfirmimeve, grupet konkurruese mund të ngjiten në skenë me rreth 20-30 artistë mbi numrin prej 50 artistësh, pra çdo grup do të përbëhet nga 70-90 vetë.

Në total, në skenën e FFKGJ-së 2015 dhe në skenat e tjera do të ngjiten rreth 30 grupe konkurruese, grupe nga diaspora dhe grupe të ftuara me gjithsej rreth 1600 artistë. Gjithashtu do të organizohen edhe kurse të hapura trajnimi për mësimin e valleve popullore shqiptare nga trajnerë të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Gjithashtu, gjatë gjithë ditëve të festivalit FFKGJ 2015 do të organizohen edhe panaire: Panairi i Artizanatit, Panairi i Kulinarisë dhe Panairi i Librit. Përveç skenës kryesore në Kala, në të cilën do të performojnë grupet konkurruese, grupet e diasporës dhe grupet e ftuara, një pjesë e koncerteve do të zhvillohen në sheshin “Fantazia”, ku në një skenë të hapur artistët e rinj do të performojnë në gjini të ndryshme të muzikës, duke i dhënë gjithë qytetit të Gjirokastrës një atmosferë festive. Në amfiteatrin e hapur të Kalasë, për herë të parë do të vendosen edhe dy ekrane që do të projektojnë video me dokumentarë nga festivalet dhe eventet folklorike. FKGJ-ja 2015 do të transmetohet nga Radiotelevizioni Publik Shqiptar, ndërkohë që për herë të parë do të shfaqet direkt edhe gjatë ditëve të EKSPO MILANOS.

Nata e parë e festivalit

Në natën e parë, në skenën e festivalit u ngjitën tri grupe konkurruese, grupi i Qarkut të Shkodrës, grupi përfaqësues i Qarkut të Gjirokastrës dhe grupi i parë përfaqësues nga Kosova. Nga grupet e ftuara në natën e parë performoi “Eda Zari & Band”. Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, në mënyrë periodike e gjen vetën të rilindur në Gjirokastër, si një vlerë e padiskutueshme e kombit, njëkohësisht një vlerë e trashëgimisë dhe kulturës botërore mbrojtur nga UNESCO. Ky festival është kthyer në një monument madhështor të kulturës kombëtare që mbrohet nga shteti dhe admirohet nga e gjithë shoqëria. “Gjirokastra në shpat mali / Tundet sot nga festivali”, e njëjta magji dhe magjepsje …./Gazeta Shqip