Gjirokastrës nuk i mjafton Festivali

Gjirokastra1Nga: DRITAN HILA*
Gjirokastra është duke vdekur. Qyteti po pëson humbjen e gjakut, më të madhen në historinë e tij. Dikur qyteti i “pensionit të artë” të funksionarëve të Perandorisë Otomane, i tregtarëve që krihnin tregjet nga Spanja e Italia deri në Lindjen e Afërme, sot është në agoni nga hemorragjia njerëzore. Hemorragji e nisur në shekullin e pavarësisë së Shqipërisë, kur pinjollët iknin për të krijuar administratën, mjekësinë, artin dhe kulturën e shtetit të sapolindur e nuk ktheheshin më. Por tash njëzet vjet po ikën kush të mundet. Ikin ekonomistë, juristë, inxhinierë, artistë.

Bashkë me ta, edhe zanatçinjtë që i mbajtën pamjen: muratorët, elektricistët, hidraulikët, kuzhinierët, marangozët, shtruesit e kalldrëmeve, bërësit e gurëve të kafesë, këpucarët, shoferët. Ikin në Tiranë, Greqi, Kanada, SHBA. Shkëlqimi i fundit i saj ishte në ‘96-ën. Pas trazirave filloi asfiksia. Instituti “Eqerem Çabej”, që dikur shtrihej hijshëm i gurtë në Kodrën e Teqesë, sot është mbuluar nga vilat private, imitim i shëmtuar i atyre greke dhe pa lidhje me arkitekturën e qytetit. Instituti po vdes nga studentë që sa vijnë e pakësohen, pasi universitetet private kanë hapur degë-fantazmë në çdo qytet të jugut. Kjo ka sjellë aneminë numerike dhe cilësore të tij. Teatri i Estradës nuk ekziston më. Kostumet e qytetit, Dropullit, Lunxhit, Zagorisë, vallet e tyre, janë vetëm në foto dhe arkiva. Gjimnazi i qytetit, në bankat e të cilit studiuan Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Bashkim Ahmeti dhe mijëra më pak të famshëm, por që ishin ajka e inteligjencës teknike të vendit, nuk e ka më lavdinë e parë.

Prindërit përpiqen të mbajnë larg fëmijët nga hashashi që qarkullon lirshëm dhe kur mbarojnë studimet i këshillojnë të mos kthehen më. Ndërmarrja e Mirëmbajtjes së Monumenteve të Kulturës, me mbi dyqind mjeshtra të ndërtimit dhe gurit në radhët e saj, është shkrirë. Metalikja që prodhonte çadra, lugë e thika; NPV-ja që prodhonte veshmbathje; Fabrika e Këpucëve, një ndër katër të Shqipërisë; Ushqimorja me djathin dhe rakinë me nam; Fabrika e duhan-cigares e “Partizanit” pa filtër, tashmë janë vegime që po shuhen edhe nga memoria. Qyteti po bie brenda. Ndërtesat e tij që shtrihen mbi faqen e Malit të Gjerë dhe i japin pamjen e papërsëritshme në llojin e tij, ku secila prej tyre ishte një kështjellë në miniaturë e kështjellës që mbizotëron qytetin, po rroposet. Vetë kështjella vazhdon e sfidon kohën, e cila është më e pamëshirshme se çdo sulmues. Ndërkohë, për ta bërë agoninë banale, Flamur Bime, kryetari i fundit i bashkisë vendosur nga socialistët e që e ka qeverisur për 12 vjet, bëri dëme të parikuperueshme. Rrugica të qytetit që dikur i mbulonte kalldrëmi, i mbuloi me beton.

Pamja impozante e Palortosë dhe Varoshit që të shfaqej sapo hyje në lagjen “18 Shtatori”, tanimë mbulohet nga pallate shumëkatëshe që ndërtohen nga farefisi i tij. Stadiumi i qytetit, dikur aq bukur harmonizuar me relievin, është mbytur nga pallatet. Si të mos mjaftojë kjo, shkallët brenda tij janë dhënë me qira për kafene. Nëse ka një kuptim teoria kineze “fshati të rrethojë qytetin”, ky e ka realizuar dhe hakmarrë ndaj kryeqendrës së jugut, duke e masakruar. I ka bërë atë që nuk ia bëri dot as greku i ‘13-ës e as ai i ‘40-ës. Mbase ndjekja e tij penale nuk përfundon siç nisi: farsë për ta trembur që të mos krijonte probleme elektorale me kandidatin e së majtës. Bime duhet bërë shembull se, kush abuzon me mjedisin dhe pasuritë e trashëgimitë kulturore, nuk e kalon pa lagur. Të mbash në krah këtë personazh që me kohë duhej ta kishte banimin te “Shtatë penxheret”, vetëm bëhesh pis.

Gjirokastra, qyteti i gurtë, nuk mbahet dot gjallë me politika retushimi. Nuk e ndalojnë dot perëndimin e saj festivalet folklorike dhe as gjelbërimi i Viroit nëse këto mbeten të izoluara, siç nuk ia ndalonte as lulëzimi i hashashit i Lazaratit në të shkuarën dhe punësimet e doganierëve. Gjirokastra është ende poli magnetik i qytetërimit shqiptar të jugut shqiptar e veriut grek. E që të vazhdojë ta mbajë, ka nevojë për një mendim të thellë ekonomik dhe plane afatgjata zhvillimi, për investime cilësore, për integrime në korridore rrugore kombëtare e ndërkombëtare, për ringjalljen e traditës kulturore e arsimore, për futjen në rrugën e trafikut të turizmit.

Gjirokastrës nuk ia ngjallin dot gratë e burrat me emër që prehen në fushën në këmbët e qytetit; nuk ia kthejnë dot artistët, inxhinierët dhe mjeshtrat që kanë marrë udhët e botës; nuk munden të rikompozojnë stofin social të qytetit që mbrujti njerëz që me fisnikërinë e tyre përmirësuan cilësisht racën dhe emrin e shqiptarëve. Por mund ta ringrenë ndërmarrjen e monumenteve që mirëmbante qytetin, artizanatin e gurit dhe metalit, t’i japin mundësinë të konkurrojë, ashtu si dikur me Janinën në arsim e tregti. Asnjë nga udhëheqësit e Shqipërisë së tranzicionit nuk e ka kuptuar se ky qytet është tepër perandorak që të trajtohet me shpërfilljen e një qyteti çfarëdo province, është tepër i fisëm që të gënjehet me bonbone, është nga ata qytete që më mirë pranon të vdesë sesa të bëhet karnavale. Ndaj, nuk duhet ta lënë të humbasë. Pasi në mbajtshin Gjirokastrën në këmbë, ky fakt do ndriçojë biografitë e tyre, më shumë se politikat ditore korridoreve të Tiranës./GSH