“Gjuha Blu”, ngordhin 80 dele në Libohovë

deletttRreth 80 dele kanë ngordhur në Libohovë nga “Gjuha Blu”, sëmundja që po përhapet me shpejtësi në shumë zona të vendit, duke i shkaktuar një dëm të madh blegtorëve që sigurojnë të ardhurat nëpërmjet bagëtive. Vetëm në 24 orët e fundit kanë ngordhur rreth 30 kokë dele. Dëmet janë konstatuar në tufën e bagëtive të Loli Ruçit dhe Shupo Ruçit. Edhe pse gjendja është alarmante, asnjë masë parandaluese nuk është ndërmarrë nga Drejtoria Rajonale e Bujqësisë dhe Shërbimi Veterinar.

Dëmi ekonomik që i është shkaktuar kap një vlerë të konsiderueshme. Pak ditë më parë edhe prefektja e Gjirokastrës, Zamira Rami organizoi një takim për këtë problem. “Gjuha Blu” u shfaq rreth një muaj më parë duke shkaktuar shumë dëme për blegtorët, ndërkohë që Ministria e Bujqësisë ka thënë se do të bëjë dëmshpërblim. Kjo sëmundje prek bagëtitë e imëta dhe transmetohet përmes mushkonjave të infektuara.