Golemi ‘dhëmbë për dhëmbë’ me Kryemadhin, por mbështetësit e kapin ‘mat’: Në Gjirokastër keni ende drejtorët e LSI-së
Një ditë më parë deputeti socialist i Gjirokastrës, Flamur Golemi, reagoi ndaj deklaratave të bëra së fundi prej kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila ishte shprehur se bandat kriminale ndikuan rezultatin zgjedhor edhe në qarkun Gjirokastër.
Në qëndrimin e tij deputeti i PS-së thoshte ndër të tjera se LSI është e fundit që duhet të flasë kur vjen puna te blerja e votave apo përdorimi i elementëve kriminalë. Sipas tij, ky qëndrimi Kryemadhit vjen nga mungesa e alternativës së LSI dhe fakti që kjo parti nuk është mësuar ende me të qënit në opozitë.
Por disa prej mbështetësve të Golemit kanë komentuar deklaratën e tij në Facebook, duke i kujtuar se sot në Gjirokastër janë ende njerëz dhe drejtues të LSI-së në administratën publike. Ata shprehin habinë se përse vazhdon të tolerohet ende dhe të mbahen në punë drejtuesit e LSI-së. Por deputeti socialist ka refuzuar t’u kthejë përgjigje ‘akuzave’ të mbështetësve të tij në rrjetin social.
ArgjiroLajm.net ka raportuar më herët për shumë prej drejtuesve të LSI-së në Gjirokastër, që vazhdojnë ende të mbajnë postet e tyre publike, ndonëse partia e tyre ka kaluar në opozitë që prej 25 qershorit. Përmendim këtu drejtorin e Sigurimeve Shoqërore, drejtorin e Tatimeve, drejtorin e Bujqësisë etj.
Socialistët u kanë bërë thirrje të dorëhiqen, por shumë prej tyre hezitojnë të largohen dhe nga ana tjetër ‘kërcënojnë’ se nëse do të shkarkohen ata do t’i drejtohen Gjykatës. Edhe pse nuk një udhëzim të qartë, parashikohet që shkarkimi i tyre të bëhet gradualisht dhe lëvizjet të kamuflohen me reformën që pritet të nisë në administratën publike, për shkrirjen apo bashkimin institucioneve.
© ArgjiroLajm.net