Grekja e kapur në Kakavie me drogë, Prokuroria kërkon 11 vjet burg

KakaviProkuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dënimin me 11 vjet burg për shtetasen greke Maria Ktazogou, e cila u kap me 28 kilogramë kanabis duke dalë nga Shqipëria. E pandehura tha se droga shitej anës rrugës dhe gjatë kthimit për në Greqi ajo ka ndaluar dhe e ka blerë atë për përdorim vetjak.

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon dënimin me 11 vjet burgim për shtetasen greke Maria Ktazogou, e akuzuar për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, në bashkëpunim, e mbetur në tentativë. Procesi ndaj saj u zhvillua me gjykim të shkurtuar, duke përfituar në këtë mënyrë uljen e 1/3 së dënimit nëse shpallet fajtore.

E pandehura është arrestuar në dt. 02.12,.2014, në pikën e kalimit kufitar Kakavijë, duke dalë nga Shqipëria, në tentativë për të trafikuar rreth 28 kg lëndë narkotike kanabis-sativa, të cilën e kishte fshehur në automjetin e saj.

Në bazë të hetimit rezultoi se kjo shtetase, për të shmangur dyshimet në kontrollin kufitar, kishte marrë me vete edhe vajzën e saj të mitur 3-vjeçare.

Fillimisht, e pandehura deklaroi se nuk kishte dijeni për lëndën narkotike në mjetin e saj. Por më pas tha se e kishte blerë lëndën narkotike për përdorim vetjak dhe për qëllim shitjeje. Sa i përket vendit ku e kishte blerë, prezantoi një version të vështirë për t’u besuar; sipas saj, në itinerarin e kthimit nga Gjirokastra për në territorin grek, ajo kishte parë një person që shiste lëndën narkotike në anë të rrugës. Kishte ndaluar dhe e kishte blerë.

Pavarësisht këtyre pretendimeve, nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda janë kryer verifikimet duke arritur në konkluzionin se e pandehura në ditët para arrestimit ka kryer disa hyrje-dalje nga Greqia në Shqipëri, herë vetëm me vajzën dhe herë me bashkëshortin e saj.

Sipas pretendimeve fillestare, e pandehura pretendonte se vinte në Shqipëri për të kryer shërbim dentar. Në datë 16.10.2014 kjo shtetase ka hyrë në territorin shqiptar me automjetin e saj tip ‘Citroen’ dhe, sipas deklarimeve paraprake, është shprehur se mjeti ka pasur defekt dhe ka telefonuar një shtetas shqiptar, të cilin e kishte njohur në Greqi, por që në ato ditë ishte në Shqipëri për ta ndihmuar.

Ky i fundit, i njohur vetëm me emrin “B…”, e ka ndihmuar, duke i marrë makinën dhe e pandehura është rikthyer në Greqi si këmbësore. Në fund të muajit nëntor 2014, “B….” e kishte telefonuar dhe i kishte thënë që makina është rregulluar dhe e pandehura është nisur nga Greqia, së bashku me bashkëshortin dhe vajzën, për të marrë mjetin.

Në datë 02.12.2014, nën shoqërinë e vajzës së mitur, pasi i shoqi ishte larguar më parë me mjetin e tij, e pandehura Maria është arrestuar në pikën kufitare të Kakavijës, pasi gjatë kontrollit iu gjet lënda narkotike e fshehur në një ambient të sajuar poshtë sediljeve.

“Marrja prej saj e fëmijës së moshës 3 vjeç, në të gjitha udhëtimet në Shqipëri është bërë me një qëllim të paracaktuar prej saj, atë të pasjes lehtësi në kontrollin kufitar. Me veprimin transportues të sasisë së narkotikut për të kaluar në PKK Kakavijë, drejt Greqisë, e pandehura po kryente rolin e ekzekutores së veprës penale, që mbeti pa u kryer vetëm për shkak të ndërhyrjes së policisë për kontrollin e automjetit ku ishte fshehur lënda narkotike”, thotë prokuroria.